Google ADS

Pas verifikimit nga AKI-ja, 20 imamë do t’u ligjërojnë të burgosurve për radikalizmin

19:42 | 11 Maj 2018
Arbresh.info

20 imamë do të jenë të angazhuar në qendrat korrektuese të Kosovës, të cilët do të ligjërojnë për të burgosurit me bindje radikale, por fillimisht ata do të kalojnë verifikimin nga AKI’ja.

Për këtë kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi Ministria e Drejtësisë me Bashkësinë Islame të Kosovës.

Ministri Abelard Tahiri është shprehur i bindur se BIK’u ka dërguar emrat e atyre që kanë integritet moral dhe njerëz që do të ndihmojnë në deradikalizim, raporton KTV.

Për këtë e ka siguruar kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava.

Myftiu ka thënë se do të jenë të përkushtuar për të luftuar çdo lloj ekstremizmi e radikalizmi dhe t’i shpjegojnë popullatës se feja nuk ka të bëjë me radikalizmin e me terrorizmin, por ka individë që e keqpërdorin fenë për interesa personale.

Për imamët në procese gjyqësore, myftiu ka thënë se nuk kanë qenë shumë, por vetëm 5 e të cilët janë liruar nga Gjykata.

Ndërkohë, ministri Abelard Tahiri ka thënë se shqetësim serioz ka qenë edhe literatura që ka qarkulluar nëpër qendrat korrektuese e që ka kontribuar në radikalizmin e të burgosurve.

Tahiri ka thënë se këta të burgosur që janë kthyer nga vatrat e luftës me bindje radikale do të mbikëqyren edhe pas lirimit nga burgu.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme