Komiteti Olimpik Ndërkombëtar mund të dënojë Serbinë, pasi qeveria e këtij vendi refuzoi marrëveshjen për të lejuar ekipin e Kosovës për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë, që sot ka nisur në Novi Sad të Vojvodinës, shkruan sot portali i njohur ndërkombëtar, “Around the Rings”, raporton Komiteti Olimpik i Kosovës.
Kombëtarja e Kosovës në karate të mërkurën u ndalë dy herë në kufirin e Merdarës, pasi Qeveria e Serbisë, kishte marrë vendim të mos lejojë hyrjen e tyre në territorin serb.
Në arsyetimin e parë u tha se ekipi i Kosovës kishte veshje me simbole shtetërore, ndërsa në tentimin e tyre, delegacioni i Kosovës veshi rrobat e rrugës në vend të uniformave zyrtare, por as kjo nuk ua ndryshoi vendimin qeverisë serbe.
Ndalimi bëri që presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) të bëjnë reagime të ashpra. Ndalesa e karateistëve kosovarë vjen vetëm një javë pasi Bordi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar me në krye Thomas Bach tha se përzierja e politikës në sport do të ketë “zero tolerancë” për vendet që diskriminojnë të tjerët.
“Mesazhi ynë për qeverinë serbe është: Ata arritën të ndalin sportistët tanë të karatesë të hyjnë në Serbi, por kurrë nuk do të arrijnë të ndalin ëndrrën e karateistëve tanë për të prezantuar vendin e tyre në Lojërat Olimpike Tokyo 2020. Për ne, kjo nuk është sport, është politikë”, tha presidenti i KOK-ut, Besim Hasani për “Around the Rings (ATR)”.
Pere Miro, zëvendës drejtor i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) për marrëdhëniet me Lëvizjen Olimpike, tha se KON-i ka ndjekur nga afër rastin e pjesëmarrjes së karateistëve të Kosovës në këtë kampionat. Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata Botërore e Karatesë (WKF) e kishin njoftuar me kohë KON-in për “pjesëmarrjen problematike të delegacionit të Kosovës”.
Ai tha se për të gjetur një zgjidhje ishte ndërmjetësuar dhe biseduar për 10 ditë mes WKF-së dhe organizatorëve të kampionatit, kryesisht me zyrtarë të qeverisë serbe.
“Ne u informuam se ishte arritur pajtueshmëri për një zgjidhje nga të gjitha palët e përfshira. Komiteti Olimpik i Serbisë dhe anëtari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Nenad Laloviq, ishin përfshirë tërësisht në bisedime, duke ndihmuar në gjetjen e një zgjidhje pozitive. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ishte duke ndihmuar për të lehtësuar dhe ndërmjetësuar të gjitha bisedat”, deklaroi Miro.
Ai pranoi se KON-i u befasua kur dëgjoi se autobusi me delegacionin e Kosovës u ndalua në kufi.
“Unë kam hapur një hetim për këtë çështje”, shtoi ai. “KON-I është gati të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mos u përsëritur kjo, jemi tërësisht konsistent për të pasur tolerancë zero në situata të tilla”.
Miro shtoi se i është thënë se bllokada në kufi për sportistët e Kosovës erdhi për shkak të “disa incidenteve gjatë procesit të hapjes së letrave”.
“Kjo është e ndarë dhe duket si marrëveshje e pavarur. Kemi verzione të ndryshme rreth fakteve dhe përgjegjësive. Ne shpresojmë se hetimi ynë do të qartësojë këtë pikë”, shtoi ai.
Miro nuk pranoi të flasë për ndonjë “masë konkrete” që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar mund t’ia shqiptojë Serbisë.
Ishte pikërisht presidenti i Federatës Botërore të Mundjes, serbi Nenad Lalloviq, që kishte ngritur problemin e diskriminimit të sportistëve në SportAccord, muajin e kaluar.
“Laloviq ishte shumë aktiv në gjetjen e një zgjidhje pozitive në Beograd”, sqaron Miro.
Zemërimi i Kosovës me bllokadën
Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, i tha ATR-së se ai ka pasur bisedime me KON-in dhe shefin e Federatës Botërore të Karatesë, Antonio Espinos të mërkurën, derisa ka informuar dhe kishte informuar trupin qeverisës olimpik për problemin në kufi të delegacionit të karatesë së Kosovës, të cilët nuk u lejuan të kalojnë kufirin as pas herës së dytë.
Ai shprehu zemërimin ndaj bllokadës serbe, duke thënë se tashmë të gjitha shpresat e kosovarëve për të garuar në këtë evropian janë shuar. “Jo, ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër për të marrë pjesë në Kampionatin e 53-të Evropian të Karatesë, për shkak të vendimit të qeverisë serbe. Askush nga ekipi i karatesë së Kosovës nuk lejohet të hyjë në Serbi”, tha ai.
“Vendimi i qeverisë së Serbisë për t’u përzier në sport është në kundërshtim me Kartën Olimpike, statutin e Federatës Botërore të Karatesë dhe të drejtat e njeriut”, shtoi Hasani. “Karateistët tanë nuk po udhëtonin drejt Novi Sadit si turistë, por ata u ftuan nga Federata Evropiane e Karatesë”.
Në një njoftim të enjten, Federata Botërore e Karatesë i tha ATR-së, se përkundër të gjitha përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje, situata mbeti e pandryshuar, me sportistët kosovar të ndaluar nga Serbia.
“Ne kemi 52 nga 53 federatat kombëtare të konfirmuara në kampionat dhe ne kujdesemi që të gjithë atletët të jenë të gatshëm të konkurrojnë. Politika e Federatës Evropiane të Karatesë ka qenë gjithmonë që turnet të jenë të hapur për të gjithë dhe të pranueshëm sa më shumë që të jetë e mundur. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi të promovojmë pjesëmarrjen e të gjithë sportistëve në ngjarjet tona”, thuhet në deklaratën e WKF-së.
Kosova u njoh zyrtarisht nga KON-i në sesionin e 2013-tës të mbajtur në Monako, duke ia hapur vendit të vogël të Ballkanit dyer për të garuar në Lojërat Evropiane Baku 2015, që ishte ngjarja e parë e madhe e tyre. Sportistët e Kosovës më pas garuan edhe në LO Rio 2016.
Shpërthimi në Ibër Lepenc/ Policia rrit masat e sigurisë, pë...
Moti sot me shi e borë
Shpërthimi në Ibër Lepenc, çfarë dihet deri më tani
Kurti: Punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve po bëjnë një ...
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...