Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri pas vendimit të dorëheqjes së këtij të fundit nga mandati i deputetit. Në intervistën e dhënë për Top Shoë, Rama tha se ende ruante të njëjtin vlerësim për punën e Tahirit si ministër.
“Saimir Tahiri ka qenë ministër i brendshëm për pothuajse 4 vjet. Dhe përsa u takon punëve të tij të mira unë i kam thënë gjërat atëherë dhe i them prapë”.
Akuzave të ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për përfshirje të tij në favorizim të grupeve kriminale të trafikut të drogës, Rama ende nuk i beson.
“Për sa i takon çështjes konkrete që e ktheu Tahirin në të akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kjo është një çështje që duhet të zbardhet plotësisht nga hetimi.
Ajo që di unë është kjo… Katania. Katania. Katania ka hetuar një grip kriminal dhe gjatë hetimit ka pasur biseda mes anëtarëve ku përmendej ministri i brendshëm. Prokuroria e Katanias, deri sot nuk ka dhënë asnjë të dhënë më shumë që të provojë ato muhabete mes dy përfaqësuesve të llumit shoqëror deri më sot prokuroria e Katanias nuk ka hedhur asnjë hap lidhur me Tahirin.
Prokuroria e Katanias hyn te ato prokurori që nuk fal asnjë ministër të brendshëm dhe nuk fal asnjë. Në momentin që shfaqet një figurë politike ata janë “skifterë të njohur”.
Prokuroria e Krimeve të Rënda erdhi në parlament 2 ditë pasi u publikua hetimi i Katanias dhe pa bërë asnjë hetim kërkoi arrestimin. Si mund të kërkohet arrestimi me gazeta. Pa pasur një provë nuk mund të thuash “hajde ta çojmë në burg dhe shohim” – thotë Rama.
Por tani që Tahiri nuk ka mandat, Rama thotë se ky ishte një vendim i tij dhe se ai nuk kishte një marrëveshje me të.
“Tani Tahiri nuk ka mandat. Është një vendim i tij. Këtu çdo gjë është konspiracion. Sepse vetëm këtu nuk mund të ketë njerëz që marrin vendime të tyret.
Ka dhe një zinxhir tjetër: Që Tahiri nuk mund ta ketë bërë vete kanabizimin e Shqipërisë se i thashë unë. Po kjo është një tjetër histori konspiracioni.
Kam pasur me të vetëm një komunikim thjesht për një çështje të një punësimi në Tiranë. Për një që ishte heq nga puna e ku di unë. Kaq.
Në Gjermani jo vetëm që nuk e kërkoi njeri kokën e Tahirit, por kjo është e paimagjinueshme që të kërkojnë koka. Imagjinojeni vetë: “Angela Merkel kërkoi kokën e Tahirit nga unë” – thotë Rama .
Pjesë nga intervista
Për atë përkëdheljen e kokës të të huajve që përmendi Tahiri?
“Të huajt nuk arrijnë deri te koka ime se jam shumë i gjatë.
Mund të ulesh?
“Po. Njoh politikanë që për një fërkim koke mund të ulen në gjunjë, por as unë bëj pjesë. Politikanët nuk janë njëlloj. Nuk ka asnjë lloj specie që të thuash: “të gjithë janë njëlloj”. Ka politikanë nga ata që janë pa “din e iman” ka dhe nga ata që janë në këtë arenë balte me disa virtyte dhe me disa qëllime të mira”.
A është Tahiri një kurban?
“Deputetët gjermanë nuk folën për mbrojtjen që i kam bërë Tahirit. Nuk kam dëgjuar asnjë deputet gjerman që unë apo ne kemi marrë në mbrojtje Tahirin. Kjo u tha këtu. Në Bundestag mu bë një pyetje.
Pyetje dhe jo opinion ku mu kërkua shpjegim dhe unë kam dhënë shpjegim. Të mendosh që Gjermania që është kampion i ligjit të vërë kushte të kësaj natyre është si ta kuptosh Gjermaninë si selia e PD”.
Ka edhe deputetë gjermanë që mendojnë kështu?
“Te një pjesë e vogël e deputetëve gjermanë që janë miq të Partisë Demokratike dëgjova ato që thuhen pasi ata nuk kanë as kohë dhe as dëshirë të thellohen për më tej. E besojnë çdo gjë që u thuhet për Shqipërinë”.
Kanabisi ishte problem në Shqipëri…
“Kanabis në Shqipëri u bë problem kur nisi të luftohej. Kanabisi nuk u mboll, rrit, korr dhe trafikua kur erdhëm ne Shqipëri. Kur erdhëm ne ai ishte i shpërndarë në të gjithë vendin. Teoria që goditëm Lazaratin dhe e shpërndamë në të gjithë vendin është mit. Kanabis kultivohej kudo dhe trafikohej pa asnjë lloj problemi.
Kishte shefa policie të inkriminuar…
“Kur nisëm ne luftën ndodhi diçka e pamenduar. Kur nisëm ne luftën kokat e trafikut nisën të paguajnë policë dhe shefa policie për të trafikuar. Ne këtë luftë e fituam. Sot kanabisi nuk është problem në Shqipëri. Unë nuk e kam mohuar asnjëherë realitetin. E kam thënë dhe e them dhe sot: “Realiteti i kanabisit nuk nisi nga ne dhe nuk u zhvillua nga ne”./lapsi.al/
Policit i bie të fikët gjatë protestës së opozitës para Bash...
Osmani: Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën që nga viti 99
Tërmeti me magnitudë 4.9 godet Turqinë
Apple raportohet se ka larguar podkastet e mediave të pavaru...
Komuna e Istogut i bashkohet refuzimit të doracakëve për edu...
Xuxi: Nuk është marre me humb prej dikujt që është më i mirë...