Google ADS

Orr: FSK-ja është profesionale, i mbetet lidershipit ta shndërrojë në ushtri

00:05 | 9 Maj 2018
Trina Galanxhi

Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowas, Timothy Orr, në emisionin “Interaktiv” ka folur për bashkëpunimin e ushtrisë së tij me Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të cilën ka thënë se është profesionale, duke e krahasuar edhe me ushtarët e tij amerikan.

Orr në “Interaktiv” ka thënë se bashkëpunimi do të vazhdojë mes ushtrive edhe nëse FSK-ja shndërrohet në ushtri, proces për të cilin, sipas tij, duhet të vendos lidershipi politik në Kosovë, transmeton Koha.net.

“Unë nuk mund të spekuloj për këtë”, ka thënë Orr kur është pyetur nëse FSK-ja është e gatshme të shndërrohet në ushtri të vërtetë.

“Ne bashkëpunojmë në themelet, të cilat i kemi hedhur kohë më parë, dhe këtë punë ia lëmë lidershipit politik për ta vendosur. Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që e kemi bërë për 7 vjet, edhe nëse misioni i FSK-së ndryshon, ne do të jemi këtu si partnerë”, ka shtuar komandanti nga Iowa.

I pyetur nëse në praktikë FSK-ja është e gatshme të bëhet ushtri, Orr ka theksuar se FSK-ja është forcë profesionale, me të cilën do të donte të bashkëpunonte edhe më tutje.

“Ata janë një forcë me të vërtetë profesionale. Ushtarët tuaj ndoshta janë më të mirë se ushtarët e mi dhe unë mund të them se jam krenar me FSK-në. Kemi pasur së fundi një garë rajonale dhe kemi pasur nderin të shërbejmë përkrah pjesëtarëve të FSK-së dhe ky është përparim për ne. Mendoj se kjo është shumë indikative se ku mund të shkojmë si ekip”, ka thënë Orr.

Orr ka sqaruar se që prej vitit 2011 janë bërë më shumë se 150 lloje të ndryshme të shkëmbimeve, që kanë pasur të bëjnë me dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në Iowa, ose sjelljen e iowianëve këtu. Ai ka sqaruar edhe punën që bëjnë pjesëtarët e FSK-së në Iowa.

“Mund t’ju them se nuk kalon një muaj i vetëm që nuk kemi ndonjë lloj aktiviteti”, ka thënë ai.

“Bëjnë të njëjtën gjë që ushtarët e mi, pjesëtarët e Forcës Ajrore bëjnë. Fokusohen në aftësitë e lidershipit, për nën-oficerët tanë dhe oficerët tanë, ndajmë misione të përbashkëta, që kanë të bëjnë me reagimin për katastrofa të brendshme, dhe këtu Garda ime e Iowas nuk dështon kurrë nën përgjegjësinë time”, ka thënë Orr.

“Ndajmë përvoja të ndryshme që shërbejnë si për Iowan, ashtu edhe për Kosovën. Dhe, pastaj ndajmë përvoja që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen, ku ne mund të ndihmojmë shumë. Shumëçka fokusohet në trajnimet për liderë individualë”, ka thënë ai.

Orr ka sqaruar se grupi i Iowas në Kosovë është i ndarë në dy grupe: 50 ushtarë dhe 53 civilë, si pjesë të programit “shtetet motra”.

“Kemi dy grupe individësh që janë këtu. Kemi disa ushtarë të Gardës Kombëtare dhe të Forcave Ajrore, që janë pjesë e një ushtrimi, në bashkëpunim më Forcën e Sigurisë së Kosovës. Janë 50 prej tyre, kurse 53 të tjerë janë civilë, që janë pjesë e programit tonë të ‘shteteve motra’ dhe janë këtu nga sektorë të ndryshëm, si fusha e arsimit, biznesit, fusha e politikës dhe udhëheqës komunitetesh”, ka thënë Orr.

I pyetur se përse Iowa ka bashkëpunim me Kosovën, Orr ka thënë se kjo vjen si kërkesë nga Departamenti i Shtetit për të gjetur partner për Kosovën.

“Kjo ka filluar në vitin 2011. Kur unë kam ardhur këtu në mars 2011 dhe kam nënshkruar një marrëveshje me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me ministrin e FSK-së, ne e kemi nënshkruar këtë marrëveshje si një kërkesë që na ka ardhur nga Departamenti i Shtetit për të gjetur një partner për Kosovën”, ka thënë ai.

“Ka 77 partneritete të tilla në SHBA me të tjera shtete. Ky partneritet ishte ndër më të rinjtë, dhe kështu ka nisur ky bashkëpunim i ngushtë ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowas. Dhe, pastaj kemi vazhduar me qasjen që ne e quajmë ‘E gjithë Iowa me të gjithë Kosovën’, që ka sjellë bashkëpunime edhe në të tjerë sektorë, përveç ushtrisë”, ka shtuar ai./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme