AGK reagon për Ligjin për media: Nuk ishim njoftuar për këtë nismë

21:41 | 8 Maj 2018
M. A.

Sot Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka marrë iniciativë për hartimin e draft Ligjit të medieve në Kosovë.

Për këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), sipas të cilit të gjitha institucionet para se të ndërmarrin iniciativa për ligjet e reja, të angazhohen për zbatimin e ligjeve aktuale.

AGK vlerëson se zbatimi i ligjeve pashmangshëm ndikon në krijimin e një ambienti të sigurt për gazetarët dhe rritjen e profesionalizmit te mediet.

Ky është reagimi i plotë i AGK-së:

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në mbledhjen e datës 07.05.2018 ka marrë iniciativë për hartimin e draft Ligjit të medieve në Kosovë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës si palë e interesit të veçantë në këtë fushë nuk është njoftuar fare nga komisioni parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në lidhje me këtë nismë ligjore si dhe nuk është në dijeni për qëllimin që bartë në vetvete hartimi i një drafti i cili do të normonte fushën e medieve në Kosovë.

Prandaj, mos përfshirjen në konsultime që në fazën fillestare të akterëve relevant, të cilët merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve si dhe, trupave të tjerë vetërregullues që e mbulojnë fushën e medieve në Kosovë konsiderojmë se është një tendencë politike për ta kontrolluar, kufizuar dhe cenuar lirinë e shprehjes. AGK në parim kundërshton çfarëdo nisme legjislative nga cilido institucion i cili më parë nuk konsultohet me palët e interesit si dhe nuk i bënë të ditura arsyetimet e qëllimit për hartimin e një ligji, në këtë rast Ligjit për mediet në Kosovë.

Kosova ka një gamë të gjerë të ligjeve pozitive të cilat në mënyrë të qartë dhe të drejtë rregullojnë shumë fusha të cilat ndërlidhen drejtpërsëdrejti më lirinë e shprehjes, mirëpo ajo që mungon në vazhdimësi është vullneti politik dhe institucional për t’i zbatuar në praktikë këto ligje.

Andaj, inkurajojmë të gjitha institucionet e vendit që para se të fillojnë çfarëdo iniciative për hartimin e ligjeve të reja, të angazhohen maksimalisht në zbatimin e ligjeve aktuale sepse zbatimi i tyre pashmangshëm ndikon një krijimin e një ambienti të sigurt për gazetarët dhe rritjen e profesionalizmit te mediet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme