Ushtria, tërhiqet Qeveria

08:02 | 3 Maj 2018
V. S.

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) nuk e ka dërguar në Qeveri Draftligjin për Ushtrinë deri më 30 prill të këtij viti, ashtu siç kishte premtuar. Zyrtarë të kësaj Ministrie kanë ndryshuar qëndrim, duke thënë se ushtria do të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Pavarësisht se qysh në muajin janar të këtij viti Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) kishte paralajmëruar se Projektligji për Ushtrinë do t’i përcillej Qeverisë deri më 30 prill 2018, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Zyrtarë nga MFSK-ja i kanë thënë gazetës “Zëri” se pakon e draftligjeve ua kanë dërguar dy dikastereve të tjera, Ministrisë së Financave e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe po presin deklarimin e tyre.

Por përderisa nga Ministria e Financave kanë deklaruar se janë duke e shqyrtuar kërkesën e MFSK-së dhe brenda afateve ligjore do të dalin me një përgjigje, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, ka thënë për “Zërin” se MIE-ja ka dhënë opinionin e saj qysh më 30 prill.

Në anën tjetër, MFSK-ja tashmë ka filluar të ndryshojë qëndrim, duke pohuar se ushtria do të bëhet me anë të ndryshimeve kushtetuese.

Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe bashkësia ndërkombëtare tash e sa kohë, porse problem në tërë këtë mes mbetet Lista Serbe, e cila vazhdon të jetë kundër bërjes së ushtrisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme