Google ADS

Kërkohet seancë e jashtëzakonshme për uzurpimet në qendër të Pejës

23:38 | 2 Maj 2018
Arbresh.info

19 këshilltarë komunalë të Pejës i janë përgjigjur pozitivisht iniciativës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për uzurpimet e hapësirës publike, duke i dhënë theks të veçantë qendrës së qytetit.
Iniciativa e dy asamblistëve të Alternativës dhe Nismës Socialdemokrate për të thirrur seancë të jashtëzakonshme për uzurpimin e pronave publike në qendër të qytetit, ka marrë mbështetjen e të gjitha subjekteve politike në Kuvendin Komunal të Pejës, përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës, që qeveris me ketë komunë.

Kërkesa zyrtarisht i është dorëzuar sot kryesuesit të Kuvendit Komunal të Pejës, Islam Husajt, nga dy asamblistët, Reshat Nurboja i Alternativës dhe Gezon Berisha nga Nisma.

Këshilltari komunal i Alternativës në Asamblenë Komunale të Pejës, Reshat Nurboja, tha se kjo iniciativë është mbështetur nga shumica e asamblistëve.
“Këtë iniciativë për mbledhjen e jashtëzakonshme të kuvendit ku do të shqyrtohet dhe të diskutohet kjo çështje, e kanë përkrahur 19 anëtarë të Kuvendit të Komunës se Pejës nga Alternativa, Nisma, AAK, PDK e VV. Thirrjen e këtij takimi të jashtëzakonshëm nuk e kanë përkrahur vetëm anëtarët e kuvendit nga radhët e LDK-së”, tha Nurboja për KALLXO.com.

Sipas tij, theks të veçantë gjatë kësaj pike të rendit të ditës do u jepet uzurpimeve në qendrën e qytetit të Pejës.

“… në veçanti në qendër të qytetit nga Hotel Dukagjini, pothuaj edhe nga të gjitha kafeteritë dhe restorantet në qendër të Pejës, nga ndërtesat shumëkatëshe, nga Patrikana e Pejës etj”, u shpreh Nurboja.

Sipas kësaj iniciative kërkohet që pikë e diskutimit të kësaj seance të jashtëzakonshme të jetë rikthimi i pronës komunale të uzurpuar, të tjetërsuar apo të shfrytëzuar jashtëligjshëm.
Po ashtu kërkohet edhe ushtrimi i të gjitha kompetencave të kryetarit të Komunës së Pejës për rikthimin e pronave komunale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme