Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës vazhdon të jetë një proces sa sfidues aq edhe i ndërlikuar për institucionet e Kosovës. Zyrtarët në Qeverinë e Kosovës, thonë se shndërrimin i FSK-së në Forca të Armatosura do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, çka nënkupton se nuk do të provohet që ky transformim të ndodhë vetëm përmes ligjit përkatës.
Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani tha për Radion Evropa e Lirë se rreth kësaj çështjeje po punohet çdo ditë dhe se sipas tij, me kohë do të tejkalohen të gjitha pengesat. Ai theksoi se Qeveria e Kosovës, vazhdimisht është duke punuar në rritjen e kapaciteteve të FSK-së.
“Nuk mund të them se kalimi i amendamenteve kushtetuese është një çështja krejtësisht e mundshme në momentet kur po flasim, por se kjo assesi nuk e dekurajon Qeverinë dhe institucionet që të angazhohemi në mënyrë të fuqishme për të arritur deri tek ai moment. Pra, kemi sfidë kalimin e amendamenteve kushtetues për çështjen e Forcës së Armatosur të Kosovës, por kjo nuk na ndalë në punën tonë që të marrim përkrahjen edhe të serbëve të Kosovës”, tha Ramadani.
Për transformimin, përmes ndryshimeve kushtetuese, të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura janë të domosdoshme dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës dhe dy të tretat e votave të dyfishta nga deputetët që përfaqësojnë komitetet pakicë në Kuvend.
Deri më tash ky transformim është kundërshtuar kategorikisht nga përfaqësuesit e Listës Serbe, çka e ka komplikuar gjithë procesin e transformimit. Ndërkohë që edhe nga NATO dhe faktori ndërkombëtar, është bërë e qartë se kalimi nga FSK në Forca të Armatosura mund të bëhet vetëm përmes amandamentimit të Kushtetutës.
Ramadani tha se ka angazhime politike për të fituar mbështetjen e serbëve të Kosovës në këtë drejtim.
“Bëhet fjalë për angazhim të përditshëm që të sigurohet mbështetja e të gjitha komuniteteve për ndryshimet kushtetuese”, u shpreh Ramadani.
Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha Ramadani, aktualisht po punon në riprocedimin e ligjeve që kanë të bëjnë me FSK-në dhe sipas tij, në javët në vazhdim, pritet që të fillojnë procedurat për ndryshime.
“Në kuadër të planit legjislativ në Qeveri, ekziston edhe synimi për amendamentet kushtetuese dhe të 39 ligjeve që do të ndryshohen, nëse do të ketë ndryshime të Kushtetutës. Kjo është pjesë e obligimeve të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës e cila e ka riproceduar ose synon ta riprocedojë në Qeveri, pastaj në institucione të tjera”, tha Ramadani.
Ndërkohë, deputeti Rexhep Selimi nga radhët e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se të gjitha qeveritë e Kosovës në vazhdimësi nuk e kanë bërë punën e duhur në drejtim të avancimit të kapaciteteve ushtarake dhe mbrojtëse të FSK-së.
Deputeti Selimi tha për Radion Evropa e Lirë se për transformimin e FSK-së në ushtri, nga institucionet po manipulohet.
“Që nga prilli i vitit 2014 deri më sot manipulohet me diçka që në të vërtetë nuk luhet. Nuk luhet me ushtrinë dhe sigurinë e vendit. Këta po vazhdojnë herë pas here t’i sjellin këto iniciativa, qoftë ligjore, qoftë për ndryshime kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, duke e ditur paraprakisht epilogun e tyre negativ. Edhe tani kështu më duket. Unë do të doja që ne të kishim ushtrinë, por siç po duket tash është e njëjta gjë, e njëjta rutinë si e viteve të kaluar. Jemi në të njëjtat rrethana edhe politike dhe juridike, siç ishim në 2014, 15, 16, e 2017”, tha Selimi.
Selimi tha se nuk është mirë që të merren iniciativa të cilat mund të mbesin në rrugë e që mund të jenë të njëanshme.
Ai konsideron se drejtuesit e institucioneve për avancimin e FSK-së janë koordinuar vetëm në serbët e jo me aleatët strategjikë të Kosovës
“Janë përqendruar vetëm me koordinim me Listën Serbe, në këtë rast i bie me Serbinë dhe kanë harruar koordinimin e domosdoshëm me aleatët tonë strategjikë dhe me shtetet anëtare të NATO-s, duke përfshirë edhe ato që janë pjesë e KFOR-it. Prandaj, këta edhe nëse do të kishin qëllim të mirë këta janë nisur në rrugën e gabuar”, tha Selimi.
Procesi i themelimit të Forcave të Armatosura apo Ushtrisë së Kosovës ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së përkrahjes nga deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës.
Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës pritet të prezantohet në Kuvend nga Qeveria, nëpërmjet projektligjit që përcakton ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do të diktojnë edhe nevojën e ndryshimeve Kushtetuese.
Forcat e Armatosura, kanë thënë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, mund të themelohen nën mbikëqyrjen e NATO-s, me numër të caktuar ushtarësh dhe me armatim dhe pajisje të përcaktuara në marrëveshje me NATO-n.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?