Google ADS

Limaj fton mërgatën: T’i japim krah dhe mbështetje vendit tonë

16:13 | 29 Prill 2018
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se Kosova ka nevojë për ndihmën e mërgatës, por tani në një formë tjetër. Numri dy i Qeverisë së Kosovës ka thënë në një takim të organizuar nga Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane se vajzat dhe djemtë e rinj të cilët janë edukuar në Evropë dhe botë, duhet të bëhen pjesë e ndërtimit të shtetit të Kosovës.
“Kemi nevojë që kompanitë tona këtu e atje të na ndihmojnë djemtë dhe vajzat e reja për të krijuar shprehinë dhe kulturën e punës. Unë vlerësoj shumë punën e Unionit që ka bërë. Ftesa ime është kjo: t’i japim krah dhe mbështetje vendit tonë. Njerëzve tanë. Emrat e partive nuk i zgjidhin problemet në Kosovë”, ka theksuar Limaj.

Më tutje ai ka thënë se është krejtësisht e parëndësishme bindja politike dhe kë e mbështesin ata. E rëndësishme, sipas tij, është që të punohet për vendin. Limaj thotë se për ta drejtuar shtetin duhet pasur së paku dy elemente: Të dish dhe ta duash vendin. Nëse nuk i ka këto dyja, ai thotë se kurrë askush nuk mund ta udhëheqë suksesshëm vendin.

“Ne duam që ju të kuptoni një gjë që Liria e Kosovës është kontribut i të gjithëve. Ju mund të thoni se kemi dhënë gjithçka për Kosovën dhe shihni Kosova sa keq është sepse na ka shkuar mundi dhe djersa kot, por unë po ju them se nuk është ashtu. Sot është Kosova e lirë dhe e pavarur. Tash mbetet të ngrihet niveli dhe mirëqenia e shtetit. Shtetin nuk duhet ta identifikoni me individin”, ka shtuar Limaj. Kombi shqiptar, sipas Limajt, është në një udhëkryq dhe tri vitet e ardhshme, ai thotë se do të përcaktojnë se çfarë drejtimi do të marrë shteti ynë. Limaj thotë se Kosova në tri vitet e ardhshme do të ballafaqohet me 3-4 çështje të rëndësishme të cilat do ta përcaktojnë të ardhmen e shtetit tonë.

Krejt në fund Limaj ka ftuar Unionin e Bizneseve që ta thellojnë bashkëpunimin me Ministrinë e Diasporës, përkatësisht me Qeverinë e Kosovës.

Në këtë Union janë të anëtarsuara mbi 300 biznese shqiptare në Gjermani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme