Google ADS

Sigal Prishtina është një fitore larg finales

22:13 | 28 Prill 2018
Arbresh.info

Sigal Prishtina e ka fituar edhe ndeshjen e dytë të ‘play-offit’ kundër Golden Eagle Yllit (80-75), në kuadër të serive gjysmëfinale të Superligës së Kosovës në basketboll.

Në takimin e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, kryeqytetasit e nisën mirë sfidën duke i shënuar katër pikë më shumë se mysafirët në çerekun e parë (22:18).

Akoma më bindëse ishte paraqitja e bardhekaltërve në dhjetëminutëshin e dytë, në të cilin i shënuan 15 pikë më shumë (25:10) se skuadra nga Suhareka, për të shkuar në pushim me epërsi bindëse (47-28).

Mirëpo, vizitorët u kthyen në gjysmën e dytë. Fillimisht, ata shënuan pikë të barabarta me vendasit në çerekun e tretë (21:21).

Ata ishin shumë bindës në çerekun e fundit duke shënuar 14 pikë më shumë se kryeqytetasit (12:26), por kjo nuk mjaftoi për të nxjerrë rezultat pozitiv.

Sipas rregullave, ndeshjet e ‘play-offit’ zhvillohen në sistemin 2-2-1 që do të thotë se dy ndeshjet e ardhshme do të luhen në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.

Skuadra që i fiton tri takime kualifikohet në finale. Pra, Sigal Prishtinës i nevojitet edhe një triumf për të vazhduar tutje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme