Google ADS

Thaçi për medien kroate: Serbia s`anëtarësohet në BE pa njohur Kosovën

11:51 | 28 Prill 2018
V. S.

Mbrojtja më e mirë e serbëve në Kosovë është e siguruar nga Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe bashkëpunimi i politikanëve shqiptarë dhe serbë.

Kështu ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për median kroate “Vecernji list”.

Thaçi ka thënë se Kosova është e vendosur  ta krijojë ushtrinë e vet. Po ashtu, Thaçi ka premtuar se kroatët së shpejti do të kenë një vend në parlamentin e Kosovës, transmeton lajmi.net.

“Nuk është e vërtetë që ne e hedhim poshtë krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Kosova është besnike ndaj të gjitha detyrimeve ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe Marrëveshjen e Parë në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila u nënshkrua më 19 prill 2013 . Disa ditë më parë ne ramë dakord që ekipi i menaxhues të bëj përgatitje për projekt-statutet e Komunitetit të komunave me shumicë serbe, natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e Kosovës dhe me ndihmën e Misionit për Siguri dhe Bashkëpunim ( OSBE-së ) në Kosovë. Asociacioni i Kominave me shumicë Serbe do të formohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet e Kosovës. Ky nuk është vetëm qëndrimi ynë. Edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini vuri në dukje se kjo do të ishte korniza ligjore për themelimin e Asociacionit. Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe nuk mund të jetë nivel i tretë i qeverisë dhe nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive po ashtu nuk mund të jetë bazë për krijimin e një entiteti të veçantë serb politik në Kosovë”, ka thënë Thaçi.

I pyetur se a ekziston frika nga përshkallëzimi i mundshëm i konfliktit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, presidenti Thaçi ka thënë se nuk ekziston dhe nuk ka konflikt në Kosovë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

“Nuk ekziston dhe nuk ka konflikt në Kosovë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve . Nuk kishte konflikte të tilla edhe në vitet më të vështira të luftës. Ne luftuam me fuqinë pushtuese të Serbisë, jo me serbët. Përndryshe, të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të respektojnë rendin kushtetues dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë ai.

Thaçi ka folur edhe për mundësin që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, ai ka thënë se:

“Bojkotimi i qeverisë së Kosovës nga lista serbe është e dëmshme për të gjithë, si për politikanët serbë ashtu edhe për qytetarët. Të gjitha problemet e mundshme në këtë aspekt duhet të zgjidhen brenda institucioneve të Kosovës.”

Duke folur për arrestimin e drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në Kosovë, Thaçi tha se qëndroi në mënyrë të paligjshme në veri të Kosovës.

“Policia e Kosovës ndaloi një zyrtar serb sepse qëndronte në mënyrë të paligjshme në veri të Kosovës, ai shkoi, edhe pse nuk mori lejen e kërkuar nga autoritetet e Kosovës. Për fat të keq, kjo nuk ishte hera e parë që qëndronte në mënyrë të paligjshme në Kosovë. Nëse duam të përparojmë së bashku, si dy shtete, duke normalizuar marrëdhëniet, ne duhet të respektojmë plotësisht marrëveshjet e Brukselit, duke përfshirë procedurat për organizimin e vizitave zyrtare në Kosovë dhe Serbi”, ka deklaruar më pas ai.

Ndërsa, për ultimatumin e Brukseli për të formuar AKS-në brenda katër muajsh, Thaçi ka thënë se nuk është ultimatum i BE-së, por ka thënë se Kosova është gati ta përmbushë këtë marrëveshje.

Tutje, Thaçi është shprehur i bindur se do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbin dhe do të ketë njohje reciproke mes vendeve, transmeton lajmi.net.

“Jam i bindur se koha e konfliktit, mosmarrëveshjes dhe tensionit në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë. Në anën tjetër, çështja e Kosovës është zgjidhur një herë dhe për të gjithë, me mision të udhëhequr nga presidenti Ahtisaari në periudhën 2005 deri në 2007. Kosova është shtet i pavarur. Serbët në Kosovë janë komunitet pakicë, kanë të drejta të garantuara që janë të veçanta dhe të pakrahasueshme me të drejtat e një komuniteti tjetër pakicë në Evropë. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është detyrë e këtij brezi, angazhim ndaj qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, ky është kushti themelor për hyrjen në BE për Kosovën dhe Serbisë”, ka thënë presidenti gjatë intervistës për medien kroate.

Ndërsa në pyetjen se “Si i komentoni pohimet e Aleksandar Vuçiqit se presidenti rus ka premtuar edhe ndihmë ushtarake për të mbrojtur serbët në Kosovë?”, ai ka thënë:

“Mbrojtja më e mirë e serbëve në Kosovë është e siguruar me Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe bashkëpunimin mes politikanëve shqiptar dhe serbe, si në Kuvend dhe në Qeverinë e Kosovës, por edhe në nivelin lokal, autoritetet komunale. Sa i përket mbrojtjes ushtarake, ne të gjithë e dimë se çfarë pasojash kanë lënë lufta në Kosovë në vitet 1998-1999.”

Ndërsa, për krijimin e “Shqipërisë së Madhe” për të cilën Serbia e fajëson Thaçin se është projektor i kësaj ideje, ai ka thënë:

“Ne nuk kemi asnjë agjendë të fshehtë, as nuk kemi pasur kurrë. Aspiratat tona nga rënia e Murit të Berlinit dhe rënia e komunizmit kanë qenë që Kosova të bëhet vend i lirë dhe demokratik, i cili do të përcaktojë fatin e saj, duke u bërë shtet i pavarur. Së fundmi, ky vend duhet të bëhet anëtar i OKB-së, NATO-s dhe BE-së.”

Thaçi e ka vlerësuar si arritje të madhe dekadën e parë të pavarësisë së Kosovës.

“Mendoj se kemi bërë shumë, sa na lejojnë rrethanat tona. Kosova ka demokraci të qëndrueshme, ka zhvillimin më të lartë ekonomik në rajon, ka një kushtetutë moderne me theks në të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e komuniteteve pakicë”, shtoi ai.

Presidenti ka folur edhe për Ushtrinë: Po, natyrisht. Edhe këtu ekziston një mirëkuptim midis nesh në Kosovë dhe midis nesh dhe NATO-s në lidhje me domosdoshmërinë e krijimit të forcave të armatosura në Kosovë. Pyetja është se si do ta bëjmë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcat e armatosura të Kosovës: duke ndryshuar kushtetutën ose ndryshimet në Ligjin e BSK-së.”

Ndërsa kur do të pranohet Kosova në organizata ndërkombëtare, Thaçi është shprehur: Nuk është mirë të flitet për afatet kohore, por mendojmë se pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të detyrueshme ligjërisht midis Kosovës dhe Serbisë dhe shpresojmë se kjo do të ndodhë këtë vit, duhet të aplikojmë për anëtarësim në OKB. Kjo marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë na siguron hyrjen e Kosovës në OKB.”/lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme