Hoxhaj i premton Zenkës më shumë vende të rezervuara për studentë nga Mali i Zi

21:42 | 27 Prill 2018
M. A.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka folur në emër të universiteteve publike, në takimin që sot ka pasur me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicat në qeverinë e Malit të Zi, Mehmed Zenka.

I ka premtuar atij se do rritet numri i vendeve të rezervuara për statusin e studentit për të rinjtë shqiptarë nga Mali i Zi.

“Kosova e pavarur nënkupton përmbushjen e kërkesave dhe pritjeve të qytetarëve tanë në Kosovë, por edhe të shqiptarëve që jetojnë përreth Kosovës. Prandaj, në takimin e sotëm me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicat në qeverinë e Malit të Zi diskutuam për kuotat që universitetet publike në Kosovë duhet t’i ofrojnë për shqiptarët e Malit të Zi, duke pasur parasysh që interesimi i tyre për të studiuar në Kosovë është i madh”, ka shkruar Hoxhaj. “Një projekt që do ta realizojmë shumë shpejtë”, ka shtuar më tej.

Gjatë ditës, edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti ministrin për Pakica dhe të Drejta të Njeriut, Mehmet Zenka, zëvendësministrin e Ministrisë Arsimit, Marash Dukaj, të shoqëruar nga Enver Buçaj, konsull në Mal të Zi.

Sipas njoftimit të MASHT-it, me këtë rast, u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit, konkretisht sigurimin e kuotave për regjistrim të studentëve dhe lirimin nga pagesa me rastin e strehimit në konvikte.

Ministri Bytyqi u shpreh se, është i gatshëm që të mbështesë arsimin dhe edukimin e të rinjve shqiptarë të Malit të Zi dhe se një gjë e tillë është obligim kombëtar, ndërsa sa i përket çështjes së kuotave, më saktësisht është i nevojshëm një bashkëbisedim me universitet publike për të parë mundësitë që kanë.

Ministri Bytyqi po ashtu tha se, është i interesuar që kjo çështje të zgjidhet për një periudhë të gjatë kohore dhe do të insistojë që kjo të bëhet në koordinim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë dhe në bashkëbisedim me përfaqësuesit e shqiptarëve të Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë.

“Qasja ime në këtë drejtim do të jetë shumë pozitive, por zgjidhja mund të ndikohet edhe nga mundësitë buxhetore”, theksoi ministri Bytyqi.

Mehmet Zenka, ministër për Pakica dhe të Drejta të Njeriut në Mal të Zi, e falënderoi ministrin Bytyqi për pritjen dhe gatishmërinë që Kosova të mbështesë shkollimin e të rinjve shqiptarë të Malit të Zi në studime të larta dhe theksoi se shqiptarët e Malit të Zi janë përherë falënderues për mbështetjen që gjithmonë e kanë gjetur në Kosovë.

Marash Dukaj, zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit theksoi se, mbështetja e studentëve shqiptarë të Malit të Zi është nevojshme veçanërisht për faktin se në Mal të Zi nuk kanë një mundësi të tillë, ndërkaq insistoi që brenda mundësive, studentët e Malit të Zi të lirohen edhe nga pagesa e konvikteve, ndërsa theksoi nevojën e sigurimit të kuotave edhe në nivelet master dhe doktoraturë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme