Google ADS

Intervista e plotë me Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava (VIDEO)

17:06 | 27 Prill 2018
Arbresh.info

Ndiqni intervistën ekskluzive me Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava.

Bashkësia Islame e Kosovës i ka dhënë vetës detyrë që të punojë për vendin, të punojë për ardhmërinë e vendit të jep kontributin e vet në çdo pore të jetës , mirëqenie më të mirë të të gjithëve që jetojnë këtu ku i madhi Zot neve na ka krijuar dhe ka bërë që të mund të japim kontributin tonë. Nisur nga ky parim dhe nisur nga përgjegjësitë që ka kryesia e Bashkësisë Islame sigurisht që kemi përgjegjësi të mëdha ndaj Zotit.

ARBRESH.INFO: Çka ka përgatit Bashkësia Islame që mundemi me ju dhënë informata të gjithë myslimaneve që agjërojnë, çka në fakt i pret gjatë muajit të Ramazanit?

Bashkësia Islame në vazhdimësi por edhe në këtë vit ka filluar qysh prej vizitave në xhami dhe kemi shikuar gjendjet që janë xhamitë e Kosovës me pastrimin e tyre së pari, më pastaj me mbajtjen e shumë tubimeve me hoxhallarë, me imam që të bisedohet me ta dhe tu jepen atyre edhe informacione mbi punën të cilën do ta bëjnë gjatë këtij Muaji të Shenjtë të Ramazanit dhe më pastaj kemi caktuar një ekip prej 50 imamëve të cilët do të jenë në terren dhe do të vizitojnë të gjitha xhamitë e Kosovës gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, do të kemi me të gjithë imamët e Republikës së Kosovës, pastaj do të kemi ndihma që do të shpërndahen për të varfrit , sigurisht ne tashmë veç kemi përgatit për 7 mijë familje jemi të gatshëm që të shpërndajmë, kemi 7 mijë pako diku rreth 350 mijë euro që do të ndahen gjatë muajit të Shenjtë të Ramazanit për njerëzit në nevojë , mirëpo ta rrisim edhe në 7 mijë tjera diku 14 mijë familje do të ndihmohen gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit nga shoqata jonë “Bereqeti”, që punon dhe vepron nën patronatin e kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. Më pastaj do të kemi ligjërata të shumta të cilat veç janë duke u incizuar në studion tonë që e kemi këtu ngasë në mungesë të televizionit sepse nuk po na lejohet të kemi këtu televizion dhe edhe kjo besoj që është një shkelje flagrante po e quaj kështu qëllimisht ndaj institucionit siç është Bashkësia Islame ngase me televizion ne kishim edukuar këtu këtë popull edhe më mirë dhe jo me lënë ta edukojnë të tjerët , megjithatë ky mbetet problem që duhet të zgjidhet më vonë, ndaj kemi pastaj edhe vizitat e ndërsjella. Ne në këtë vit do të dërgojmë diku edhe afër 16 imamë nëpunës të Bashkësisë Islame në diasporë ku do të vizitohen xhami të shumta në të gjitha shtetet e Evropës dhe do të bisedohet me vëllezërit dhe motrat tona që i kemi në diasporë. Ne kemi një numër të konsiderueshëm të xhamive në vende të ndryshme të Evropës siç është Zvicra, Gjermania, Italia e vende të tjera dhe tashmë gjendja ka ndryshuar nga e kaluara dhe janë vendosur atje me familje, po ndërtojnë edhe infrastrukturën Islame atje ku e shohin të ardhmen e  tyre atje dhe ne mundohemi me qenë me ta në veçanti gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Kemi përgatitur që gjatë këtij muaji të bekuar të shpërndajmë edhe libra dhe këto janë disa nga aktivitete tona, tribuna të ndryshme gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit.

ARBRESH.INFO: Desha të pyes te çështja me televizionin, a keni bërë kërkesë ?

Me dhjetëra herë, gjithmonë na qesin në vendin e katërt, të pestë kurrë nuk na japin të parin, do të thotë na thonë që Bashkësia Islame nuk ka të drejtë të ketë televizion të vetin.

ARBRESH.INFO: Te namazi i natës, dhjetë ditëshi i fundit qysh praktikohet në muajin e shenjtë të Ramazanit. Patët marrë një vendim  që me u fal vetëm në disa prej xhamive në kryeqytet ?

Jo nuk është kështu. Këto kanë qenë në të gjitha komunat në nivel të Kosovës është fal edhe namazi i natës mirëpo kemi rrugëtuar nëpër disa xhami dhe me këtë kemi dashur që t’u bëjmë me dije të gjithëve dhe t’i vetëdijesojmë popullatën tonë se namazi farz ka vlerën më të madhe se sa i natës dhe namazi i natës është dhe vet namazi i teravive dhe shembull konkret po japim psh, 500 vetë falin namazin e natës në xhami, në sabah i ke 50 vetë dhe kjo vetvetiu flet dhe derisa ne tan kohën falemi sa jemi gjallë namaz nate nuk mund të arrijmë vlerën ka dy rekate namaz të sabahut ti afrohemi të madhit Zot. Namazi i natës është mirë me u fal mirëpo ne vetëm e kemi reduktuar nëpër disa xhami, jo edhe gjithkush mund të jetë imam në namazin e natës.

ARBRESH.INFO: A do të vlejë ky vendim edhe këtë vit?

Natyrisht që vlen. Ne jemi Bashkësi Islame që e dimë ka nevojë populli jonë , jemi në terren në vazhdimësi , ne mundohemi që të krijojmë kushte sa më të mirat xhematlinjve që ata të kenë mundësinë edhe të japin dhe të bëjnë adhurimin ndaj krijuesit fuqi plotë. Po e shfrytëzoj rastin tash dhe po them në mungesë ende të xhamisë së madhe që ju e dini që pesë vjet komuna neve nuk na e dha, na vonoi pesë vjet nuk i dha kushtet urbanistike që ne të fillojmë përpilimin e projekteve detal të xhamisë. Na vonoi pa asnjë arsye dhe ne kemi marrë, tashmë u bënë disa muaj që kemi marrë kushtet urbanistike dhe diku shtatë, tetë muaj në përfundim është edhe projekti i xhamisë së madhe. Kam bindjen e  thellë që gjatë kësaj vere ne do të fillojmë me ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë, më pastaj paksa do të lehtësohen edhe xhamitë tjera ngase ajo do të jetë një xhami që do të marrë një numër të konsiderueshëm të besimtarëve.

ARBRESH.INFO: Kur po thua kështu po lë të nënkuptohet që mund të ndodhë edhe në Muajin e Ramazanit?

Jo në Muajin e Ramazanit, jo, por po them se është në përfundim e sipër, është dashtë një kohë që të sigurohen edhe mjetet dhe mjetet janë siguruar por vonesa na ka sjellë telashe të mëdha sepse tashmë ishte harruar ajo xhami por ja e dinë ata pse.

ARBRESH.INFO: Kur bëhet fjala për mjete përfshihen kostoja se sa do të kushtojë, a do të debatohet rreth kësaj dhe gjithmonë ngritët një pyetje shtesë se nga do të sigurohen, a mundemi me qenë transparent edhe në këtë pikë nga është sigurua fondi?

Ne jemi gjithmonë transparent. Atë që unë e dëgjoj nganjëherë mediat tona në disa media por është aq e ligë, është aq e turpshme të dëgjosh gjëra të cilat, saqë njeriu e  pyet veten ku jetoj dhe pse ndodhë kjo. Unë do të jap një shembull konkret  unë isha një natë duke shikuar televizionin ishte mysafir një njeri i pendës , njeri që merret me shkencë dhe fliste dhe ndër të tjera thotë këtë thënie “Turqia në Kosovë ka ndërtuar deri tash mbi 300 xhami dhe thotë ka dhënë me dhjetar milionë para Qeveria e Turqisë, unë them edhe njëherë që njerëzit e Turqisë në Kosovë nuk e kanë ndërtua asnjë  xhami , ky është realiteti ndoshta , ajo është rren është gënjeshtër dhe me atë po e dezinformojnë opinionin . Në Kosovë janë ndërtuar krejt nga Turqia që 20 vjet 7 xhami, xhamia në Mitrovicë është ndërtuar prej shqiptarëve, xhamia në Viti, një xhami në Prizren dhe diku tjetër s’po e di saktë pra shtatë xhami janë ndërtuar prej xhematëve ndërsa Qeveria e Turqisë nuk ka ndërtuar asnjë xhami . Ky është realiteti, çka thuhet tjetër është gënjeshtër , rren e kulluar dhe Bashkësisë Islame, jo Turqia , asnjë shtet, asnjë shoqatë asnjëherë, asnjë cent në llogarinë e BIK-ut , parë për aktivitet për punë apo për shfrytëzim për nevoja që ka Bashkësia Islame askush asnjëherë nuk na ka ndihmuar , qe ku janë bankat kujt do që i intereson allahile le të shkon, 24 orë le të shkon dhe le të hulumton, por me gënjye mos të gënjejnë, mos të rrejnë, mos të trillojnë sepse ne jemi gjallë dhe kemi zërin tonë dhe themi dhe nuk ka fuqi që neve të na ndalë.

Në anën tjetër xhamia e madhe do të ndërtohet edhe pse kemi pasur shumë pengesa të paarsyeshme , kostoja e saj saktësisht nuk e di sa është por diku sillet rreth 40 ose 50 milionë euro. Neve ato para nuk na kanë ardhur, ato janë para të premtuara nga dianeti i Turqisë, pra nga Bashkësia Islame e Turqisë dhe këtu çdo gjë është transparente. Me një fjalë ata që po ndërtojnë mu para parlamentit shqiptarë në Tiranë xhaminë me katër minare ata janë edhe investuesit e xhamisë këtu në Prishtinë, pra janë të njëjtë këtu nuk ka të fshehtë por çdo gjë është transparente dhe çdo gjë do të jetë transparente sikur deri tash .

ARBRESH.INFO: E thatë që jeni në terren gjithmonë dhe desha me marr një opinion tuajin cila është gjendja e sigurisë sepse gjithmonë jo drejtë lidhet çështja e terrorizmit, siç e dimë edhe një pjesë e njerëzve, individë të cilat kanë shkuar dhe iu kanë bashkuar luftës atje, ka pasur disa arrestime të imamëve në të kaluarën, disa prej tyre janë liruar në mungesë të provave ose kanë dal të pastër para drejtësisë, atëherë a mund të na jep një opinion cila është gjendja pasi që vetëm jeni në terren dhe e keni një pasqyrë të qartë?

Unë e ndjej veten shumë mirë si myfti kur në Kosovën tonë nuk kemi as ekses më të voglin deri tash ndërfetar. Unë e ndjej veten shumë mirë kur tash e 20 vjet asnjë nga ndërkombëtarët nuk ka pësuar as lëndimin më të vogël në Kosovë. Ndaj kjo flet vetvetiu se ne dimë të respektojmë mysafirët të cilët i kem dhe të cilët neve na u ka gjind në kohërat më të vështira kur shqiptarëve të Kosovës i kanosej po them ç ‘farosje gjithësisht ngase dihet se Serbia kishte bërë plane që Kosova të pastrohet edhe në aspektin shqiptarë po e quaj kështu edhe në aspektin fetar dhe të largohen shqiptarët nga Kosova. Na ndihmuan dhe ne i kemi falënderuar dhe i falënderojmë për tërë ato që kanë bërë për neve Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpo edhe të gjitha shtetet e vullnetit të mirë që i kanë dal krahë Kosovës dhe kanë ndihmuar në çfarë do forme qoftë ajo që ne ti mbijetojmë ati sekleracioni dhe atij okupimi klasik që ka qenë prej anës së Serbisë këtu në Kosovë .

Sigurisht që tashmë siguria siç po e përmendni ju, kjo flet për një siguri të nivelit të lartë që është në Kosovë dhe kjo mua më gëzon. Në anën tjetër shumë herë e kam thënë por e ripërsëris edhe një herë se të akuzosh është lehtë në veçanti në Kosovë , unë kam qenë, jam dhe do të jem kundër të gjithë atyre që për interesa partiake, për interesa personale, interesa klanore e grupore dëshirojnë ti bëjnë keq Kosovës qoftë sa bënë një mizë në krahun e saj ne nuk do të lejojmë sepse ky është vendi jonë, kjo është toka prej të cilit ne jetojmë, prej së cilës ne ushqehemi, kemi obligime ndaj kësaj toke ndaj këtij vendi, ndaj këtij populli. Ndaj, të gjithë ata të cilët dëshirojnë që në emër të fesë të manipulojnë, të gjithë ata që dëshirojnë që në emër të fesë të fyejnë myslimanet ata e kanë gabim ngase ata nuk e njohin veten deri sa nuk e njohin veten nuk e njohin as fenë, kur se njohin fenë nuk e njohin as Zotin, andaj edhe janë të tillë, janë të mjerë. Megjithatë shumë herë e kemi thënë dhe po e ripërsëris edhe njëherë Bashkësia Islame e Kosovës ka qenë qysh në start unë si myfti i parë në Evropë që kundër marrjes pjesë qoftë në Siri, qoftë në Irak apo kudo qofshin dhe këto janë sene që janë shkruar, janë xhiruar dhe janë prezentë dhe nuk mund të them diçka që nuk është. E kam thënë dhe po e ri përsëris që gjakderdhja, ekstremizmi po mendoj terrorizmi, radikalizmi këto nuk kanë të bëjnë asgjë me fenë islame. Është e vërtet që një grup ka keqpërdor fenë islame, besimin Islam mirëpo assesi Islami nuk është i tillë, Janë përdor edhe fe të tjera për qëllime të ndryshme në Evropë e më gjerë. Historia nuk fillon prej Sirisë e më gjerë, historia fillon edhe më herët. Shkuarja e këtyre djemve tanë në Siri që ne kemi qenë  kundër kësaj nuk lidhet me asnjë fetar. Pse, logjikisht marrë, shtrohen pyetje para neve pse të rinjtë tonë nuk shkuan psh., në luftën në palestino-izraelito, pse nuk shkuan në luftën ruso-afgane , pse nuk shkuan në luftën irako-kuvajtiane, luftën në Libi, Irak e Kuvajt pse nuk shkoi asnjë , pse shkuan në Siri, kjo përgjigje duhet të jepet, kush e organizoi, kush e bëri dhe çfarë ishte qëllimi. Ndaj, ne tash vetëm mund të paragjykojmë, por përkundër kësaj në Kosovë nuk ndodhi asgjë dhe po them këtë e kanë ruajtur hoxhallarët në shumicë të madhe imamët të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm Bashkësia Islame e Kosovës, këshillat e BIK-ut ku kanë qenë duke folur për këtë gjë jo të mirë që po i mëveshët Islamit. Ne kemi kontribuar dhe situata është e qetë dhe tashmë po thonë të gjithë politikanët se nuk ka ISIS nuk ka më dhe kjo na gëzon neve dhe ne do të punojmë për paqe, për harmoni për lumturi në mes njerëzve kudo që ata gjenden. Ndaj arrestimi i disa hoxhallarëve ka ndodhë dhe atë natë unë e kam thënë kështu “unë si myfti marrë përgjegjësinë të tërë asaj që është fol nëpër xhamitë e Kosovës dhe kam bindjen që në xhami nuk është fol keq asnjëherë sepse edhe detyra e imamit është e shenjtë. Xhamia është e shenjtë, në xhami adhurohet Zoti , i përulemi Zotit. Megjithatë në jetën e tyre private unë aty nuk përzihem, ka kush merret me këtë, janë organet e Kosovës dhe i kryejnë detyrat që ata i kanë. Megjithatë unë ju kam thënë hoxhallarëve decidivisht që nuk do të lejoj kurrë që në xhami të jemi melaqe e në podrum të xhamisë shejtan dhe mua më vjen shumë mirë që hoxhallarët, imamët dolën të pafajshëm dhe kjo neve na gëzon dhe ne do të vazhdojmë me punën tonë. Ne e kemi një imam që është i dënuar edhe ai nuk ka qenë imam i rregullt ka qenë i angazhuar, jo imam me dekret ai është në burg dhe ne nuk kemi imam që në emër të radikalizmit , në emër të ekstremizmit që është i burgosur. Të gjithë ata që janë imam janë liruar, janë hetuar me vite dhe në fund ka dal që edhe e kam thënë edhe atë natë që i kanë marrë unë them këta janë të pafajshëm deri sa gjykata ta thotë fjalën e vet dhe deshi Zoti dhe dolën të pafajshëm dhe kjo na gëzon si Bashkësi Islame .

ARBRESH.INFO: Disa prej tyre ju kanë kthyer punës të cilën e kanë ushtruar me vite, me siguri jeni në dijeni edhe njëri prej tyre është imam i Xhamisë së Madhe Shefqet Krasniqi i cili me sa e di nuk është imam edhe pse gjykata vendosi që ta liroj prej të gjitha akuzave, cili është vendimi juaj tash?

Së pari ju gazetarët kur të informoni opinionin e keni detyrë të informoni drejtë. Me këtë rast nuk e keni informuar drejtë opinionin, e keni lajthit me vetëdije apo pa vetëdije. Shefqet Krasniqi e ka një vendim në Bashkësinë Islame. Ai është profesor në Fakultetin e Studimeve Islame. Ju e dini që dy vendime nuk mundet me i pas njeri, a mundet, jo. Mundet me pas edhe 50 për qind të asaj sa i përket punë shtesë edhe atë e ka plus atë e ka, ai ligjëron edhe në shkallën e  tretë në Fakultetin e Studimeve  Islame do të thotë asnjë moment ky nuk është suspenduar, kështu duhet ta informoni opinionin jo të thoni të pavërtetën. Ai nuk ka qenë imam i xhamisë së madhe, ai ka qenë i angazhuar në xhaminë e madhe mirëpo ne kemi pas shumë të papunë dhe kemi të papunë, dhe nuk është e udhës që dikush të punon në tri vende të punës, po them Shefqeti është koleg i joni, i rregullt në fakultet, është profesor i angazhuar në shkallën e tretë në fakultet ku për këtë edhe ka mësuar dhe është shkolluar dhe kjo vetvetiu flet boll. Sigurisht, Shefqeti e të tjerë të përfshihen në aktivitete që organizon Bashkësia Islame në raste si p.sh., tribuna, ligjërata e ato, mirëpo xhamia e madhe i ka dy imam sikur i kanë edhe xhamitë tjera dhe ne do të vazhdojmë punën. Nuk guxoni të thuani ju jo që e keni suspendua, jo nuk e kemi suspendua këtë po e dëgjoj në radio, televizione, këto janë të pavërteta dhe çuditem pse ju gazetarët nuk i merrni nga burimet me u informu. Pra, Shefqeti e merr rrogën si profesor i rregullt dhe një pagesë ekstra që jep ligjërata në shkallën e tretë apo magjistër. Ky është realiteti. Ku ka nevojë ne e angazhojmë edhe Shefqetin, edhe atë tjetrin sepse këta janë kolegët tonë mirëpo është detyrë e jona ku i angazhojmë nuk është detyrë e mediave. Ju mediat deri dje nuk ka mbet gjë në dynja pa i thënë Shefqetit, sot po ju dhemb shpirti për atë më shumë se sa mua. Lëreni këto sepse këto nuk pijnë ujë.

ARBRESH.INFO: Çështja e xhamisë është bërë edhe mediale pra ka mbetur pa u përfunduar Xhamia e Çarshisë aty përballë Kuvendit të Kosovës. A mund të na thuash saktë se përse është bllokuar puna dhe ka mbetur që disa vite në atë gjendje?

Shumë lehtë është, dihet ajo punë. Këtë është dashur me ia bë Shpend Ahmetit, para Shpend Ahmetit është dashur me ia bë Isa Mustafës po dua të them ata e dinë më së miri. Komuna e Prishtinës të vetmen xhami për ta restauruar e ka marrë xhaminë “Sulltan Murat”, pra Xhaminë e Çarshisë. Tash e gjashtë vjet është në gjendje të mjerueshme xhamia për teke, për inate të ndryshme. Që pesë vjet unë sigurisht edhe personalisht si myfti kam qenë së paku ja shtatë apo tetë herë te Shpendi për këtë xhami edhe te Isa Mustafa më herët më pak sepse pastaj doli si kryeministër. Mirëpo që pesë vjet nuk është vazhduar puna, pse duke thënë se ka pas këtu keqpërdorime do të thotë mes komunës dhe Institutit për Mbrojtje të Monumenteve Historike. Unë ju thash o vëlla nëse ka bë dikush keq dërgoni në prokurori, dërgoni në gjyq por xhamia le të rregullohet. Për inate, për teke të ndryshme ka mbet që pesë vjet, këtu është arsyeja, asnjë pengesë nuk ka. Ne ju kemi thënë me dhjetëra herë shumë bre në rregull, kjo është nën mbrojtjen e shtetit qe po e rinovojmë ne si BIK , nuk është asnjë problem. Ne jemi duke restauruar për momentin diku shtatë apo tetë xhami në Kosovë dhe ato normal që marrin shumë shpenzime, kanë kosto të lartë por edhe këtë kishim me përfundua, ish harru tash Xhamia e Çarshisë, por këtu është problemi po them te ato mjetet jo kanë dal, jo s’kanë dal, jo kanë dal në gjyq, janë keqpërdor për këtë nuk e di sepse ato nuk kanë kaluar përmes neve, ato kanë kaluar në institut, aty qëndron problemi. Tash e pat që erdhi deri te një nënshkrim para tri apo katër ditëve në mes TIK-ës së Turqisë, edhe komunës dhe ministrisë edhe aty u bë një shkelje ndoshta pa dashje sepse ne jemi pronarë të xhamisë, në livadh tonin nuk mundet me shkel askush pa leje, le ta harrojnë. Komunizmi ka kaluar, ka shkuar dhe nuk e kanë para që aty të jetë nënshkrimi jonë fare, kanë deklaruar që është lëshim teknik në rregull nëse është lëshim teknik, mirëpo pasuria është e jona. Nuk ka masa këtu, ne dëshirojmë të kryhet xhamia, mirëpo kur unë lexoj në një portal ku thuhet që kryesia e BIK-ut vonon punën në xhami kjo është rrenë e kulluar, çfarë poshtërsie. Bashkësia Islame nuk don të restaurohet xhamia e ata po donë merre me mend, këtë nuk e kap logjika, kjo është përtej logjikës, përtej njerëzores është kjo, andaj ne duhet ti kemi të gjitha këto parasysh se ne do të punojmë, ne do ti restaurojmë gjatë këtij viti edhe tri xhami në Prishtinë .

ARBRESH.INFO: Po ndalemi pak edhe te pjesa e politikës ku janë bërë disa deklarata tash të kryeministri së fundmi, desha një koment prej anës suaj ku kryeministri për një medium thotë që ne nuk jemi mysliman, por ne në ta kaluarën tonë kemi pas paraardhës katolik, si i komentoni këto deklarata?

Kryeministri nuk ka thënë ne nuk jemi mysliman, këtë thënie nuk e ka thënë , unë e kam dëgjuar me vëmendje por se ne kemi qenë katolik, ortodoks, pagan në të kaluarën kjo është e vërtetë . Nuk guxojmë ne ta lidhim historikun tonë vetëm me paraqitjen e fesë katolike apo ortodokse në këto troje,. Ne kemi ekzistuar këtu edhe para se të ekzistojë katolicizmi, kanë qenë pellazget , kanë qenë ilirët para krejt këtyre krishterimit. Krishterimi është 2000 vjet e këndej, mirëpo para tyre ne kemi qenë banues të trojeve tona, ndaj kurrë nuk guxojmë me u kthyer vetëm aty. Ne kemi qenë pagan, kemi qenë nevojtarë një kohë të gjatë , pastaj ka kaluar një pjesë ka ardhur nga krishterimi përmes fuqive të ndryshme qysh kanë qenë Bizanti, Romakët edhe kanë qenë krishterët janë të parët tanë , mirëpo rrethanat kanë ndryshua dhe me ardhjen e osmanlinjve e këndej pjesa dërmuese e shqiptarëve ka kaluar në besimin islam dhe kjo është një e vërtetë e madhe dhe se kemi qenë jo mysliman para një kohë në shumicë kjo është një e vërtetë e madhe, por se sot ne jetojmë si krishterë kjo është një e pavërtetë e madhe se ne jem shqiptarë, jem shqiptarë mysliman, jem shqiptarë katolik, jem shqiptarë ortodoks, jem shqiptarë çfarë do feje që kemi do të thotë ne nuk jetojmë si të krishterë ne jem mysliman në aspektin fetar. Këtu nuk guxojmë t’i ngatërrojmë fenë dhe kombin absolutisht nuk guxojmë t’i ngatërrojmë . Ndaj, shikoni të parët tonë e kanë kuptuar shumë drejtë çështjen e fesë një pyetje të thjeshtë para neve paraqitet. Ku u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mu në xhaminë Bajrakli, brenda në xhami, kush e udhëhoqën krerët islam dhe kjo çka flet dhe ne do të jemi ata që do t’i qëndrojmë besnik edhe asaj. Ne kemi dhënë, japim një kontribut kushdo qoftë kryeministri, qoftë kushdo qoftë në dynja nuk mundet neve me na tregu se qysh jetojmë ne. Çdo kush mund të jetojë vet si individ qysh don, nuk ka dhunë në fe, veten qysh te ndien le të jeton ai ashtu ama ne nuk jetojmë si krishterë, jetojnë si krishterë ata që janë të krishterë, jetojnë si ortodoks ata që janë ortodoks, jetojnë si mysliman ata që janë mysliman dhe këto lloj divergjencash vetëm na shtyn neve më shumë që të bashkohemi dhe të jemi më të fortë se neve nuk na pengon, ne jemi vëllezër me gjak edhe me krishterët shqiptarë edhe me ortodoksët shqiptarë është fjala e kështu me radhë. Këtu çdo kush duhet të ketë kujdes, kryetari i shtetit qoftë, kryeministri qoftë kushdo qoftë duhet të ketë kujdes që këtë harmoni fetare ta ruajmë, të mos tentojmë askush, asnjëherë që përmes dështimeve të mundshme të spektrave të ndryshme fajin t’ia hedhin fesë, t’ia hedhin Bashkësisë Islame. Ju kam thënë dhe ju bëjë me dije edhe njëherë nuk është Bashkësia Islame ajo që ka qenë kohën e komunizmit që  e ka pas mbuluar pluhuri jo, sot Bashkësia Islame ka kuadër e din çka punon. Luftën e  fundit ka dhënë provimin më të madh historik askush si BIK nuk ka ndihmuar luftën e fundit në Kosovë , kemi edhe 37 imam që kanë rënë shehid me pushkë në dorë në luftë , kanë qenë mbi 300 imam . Medreseja është e pashembullt me kontributin e saj 89-99, 1230 tubime të karaktereve të ndryshme politike janë mbajt vetëm në Medrese duke filluar prej Akademisë së Shkencave, historisë, albanologjisë, Ministria e Arsimit krejt partitë politike aty i kanë mbajt kuvendet.

Me të vërtetë unë nganjëherë e pyes veten se unë jam njëri prej atyre që kam kontribuar në këto punë, kam qenë në Këshill të Emergjencës, Zoti ka dashtë kam qenë edhe drejtor i Medresesë prej vitit 1995-2003 kohën kur me  të vërtetë ka qenë lufta, dhe aty kam qenë kur serbet kanë hyrë në medrese edhe e kanë hy dhe e kanë devalvuar Medresenë dhe ne nga mbrapa ju kemi bashkëngjit masës me nxënës dhe këto janë. Do të vjen një kohë kur do t’i themi të gjitha , do t’i shkruajmë të gjitha ama këtë me të vërtetë nuk janë mirënjohës për atë që ka bërë Bashkësia Islame, që ka bërë medreseja, që kanë bërë imamët.

Këtu ka qenë për dhjetë vjet Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut këtu në selinë e Fakultetit të Studimeve Islame asnjëherë nuk e përmend kush dhe këto janë gjëra pse ne duhet të jemi vetja. Ne nuk guxojmë të frikohemi prej vetes, prej hijes sonë siç thotë populli, ne jemi këta që jemi, ne nuk e jemi nijet me ndryshuar fenë për qejfe të dikujt absolutisht, i kemi fetë tona tradicionale në Kosovë dhe brenda kombit tonë shqiptarë anë e kënd ku endet ai dhe kemi një të pashoqe, të pakrahasueshme në botë pse si pëlqen një individi punë e madhe e bëjmë minus një kushdo qoftë ai. Edhe me këtë rast apeloj te të gjithë krerët politikë në Kosovë të mos ndikojnë asnjëherë me punët e tyre, me deklaratat e tyre shpesh pa kontrolluara në prishjen e  një harmonie fetare e cila mbretëron me shekuj të tërë brenda kombit tonë shqiptarë. Ne jetojmë, veprojmë me këtë harmoni në vazhdimësi prej kur na njeh historia.

Në fund dëshiroj që përmes juve që të uroj Muajin e  Shenjtë të Bekuar të Ramazanit të gjithë besimtarëve të besimit islam kudo që ata gjenden, duke  lutur Zotin që t’u pranojë agjërimin dhe duke i thirr në veçanti gjatë muajit të bekuar të Ramazanit të jenë edhe më shumë në adhurim të Zotit, të shtrinë dorën e ndihmës ndaj atyre që kanë nevojë në veçanti ndaj skamnorëve e jetimëve dhe e lus Zotin që të gjitha veprat tona të na pranoj dhe të na bëjë prej atyre të cilëve do të na shpërblej kur do të dalim para tij për ta dhënë përfundimtaren për punën dhe angazhimin tonë që e kemi bërë gjatë jetës në këtë botë./ARBRESH.INFO/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme