Google ADS

Zaev dhe Tusk shprehen për të ardhme evropiane të Maqedonisë dhe rajonit

13:27 | 27 Prill 2018
Arbresh.info

Donald Tusk, kryetar i Këshillit Evropian, ka arritur në Shkup, ku është takuar me kryeministrin Zoran Zaev, me të cilin mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.

Zaev tha se “në këtë vizitë shohim një mirënjohje të madhe, inkurajim, por edhe përgjegjësi për Maqedoninë. Kemi dalë nga kriza e thellë politike dhe nga një shtet i kapur, u kthyem në rrugën në të cilën hapërojnë të gjithë shtetet demokratike evropiane. Përpunuam dhe zbatuam reforma parësore, siç është Plani 3-6-9 dhe morën udhëzim të pakushtëzuar për të filluar bisedimet për anëtarësim. Dhamë maksimumin në këto dhjetë muajt e kaluar.

Me përfshirjen e opozitës, që është e vlefshme të përmendet, sollëm zgjidhje të rëndësishme ligjore në pajtim me praktikat e suksesshme evropiane, për gjyqësi të pavarur, shërbime profesionale të inteligjencës, administratë efikase publike.

Kohë për pushim nuk ka dhe në periudhën që vjen do t’i shtojmë angazhimet për të arritur reforma ende më të theksuara, më konkrete dhe më efikase. Do të bëjmë çmos, që tash t’i bindim vendet anëtare të BE-së, se meritojmë të fillojmë bisedimet dhe të arrijmë vendet që tashmë janë në këtë proces.”

Tusk tha se “kishim një takim të mirë me Kryeministrin Zaev. Shumë punë janë ndryshuar, që nga viti 2015, kur erdha rregullisht për të punuar me partnerët, për të menaxhuar fluksin e migrantëve në BE. Sot temë e patëm të ardhmen e Maqedonisë dhe tërë rajonit. Në Shkup ndjej ndryshim në mentalitetin politik, një vullnet të vërtetë politik për përafrim në integrimet euro-atlantike, dhe lidership të guximshëm të Zaevit drejt të ardhmes.

U pajtuam se kur liderët e BE-së të takohen me partnerët e Ballkanit Perëndimor në Sofje, duhet të përdorim energji të re në marrëdhëniet tona.

Bashkarisht duhet të përballemi me trafikimin e migrantëve, me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ju qëndurat me ne, dhe ne do të qëndrojmë me ju. Këtu do ta them atë që e thash në të gjitha kryeqytetet, që BE-ja do të bëhet partneri më i mirë i rajonit, pasi që është investuesi, donatori dhe partneri tregtar i rajonit.”/Telegrafi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme