Jasharaj i reagon Hamzës: Na premtuan se ligji për kompensim mund të aplikohet

15:34 | 26 Prill 2018
Arbresh.info

Deklarimet e ministrit të Financave, Bedri Hamza, se ligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta është një ligj që rrezikon buxhetin e Kosovës nëse sillet në Kuvend për miratim, po i cilëson si të pavërteta, kryetari i Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se në takimet që i kanë mbajtur edhe me zyrtarë nga ministria e Financave dhe me të tjerët, janë dakorduar që ky ligj është i përballueshëm për buxhetin e shtetit.

E nëse ndodh që ky ligj nuk votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Jasharaj në një prononcim për Periskopin, ka thënë që do të futen në grevë përsëri.

Kreu i SBASHK-ut e cilëson si një arritje të madhe ligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta dhe thotë se tashmë komisionet përgjegjëse po e përgatisin atë për ta dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Nuk është hera e parë që ministri Bedri Hamza deklarohet kundër ligjit për mësimdhënësit e viteve të 90-ta edhe përkundër faktit që SBASHK-u është takuar me të. Ajo që dihet dhe që është një arritje e të gjithëve edhe e qeverisë Haradinaj por edhe e SBASHK-ut, është që më në fund pas pesë viteve, ky projektligj gjeti mbështetjen e Qeverisë, dhe u votua me 11 prill, dhe Qeveria e ka dërguar edhe në parlament, ku komisionet gjegjëse do të merren me përgatitjen e tij për ta dërguar në Parlament para deputetëve”, ka deklaruar Jasharaj për Periskopin.

Jasharaj thotë që kosto buxhetore e ligjit për mësimdhënësit e vitive të 90-ta nuk e kalon shumë prej 6 milionë eurosh, dhe se ka marrë edhe përkrahjen e ministrisë së Financave.

“Ajo që e thotë ministri Hamza nuk qëndron sepse ky ligj me kërkesat buxhetore që janë bërë, për të shpërblyer punëtorët e asaj kohe, brenda një viti nuk e kalon shumën prej 6 milionë eurove, dhe edhe ministria e Financave dhe të tjerët, në takimet kur është finalizuar ky tekst, janë pajtuar dhe janë dakorduar për këtë buxhet duke thënë se është i përballueshëm për buxhetin e shtetit tonë”, është shprehur Jashraraj.

Ai pret që deputetët shqiptarë në Kuvendin e Kosovës ta votojnë këtë ligj, në të kundërtën do të futen në grevë përsëri.

“Ne kemi besim të plotë që deputetet shqiptar pavarësisht subjekteve politike, sepse ata e qmojnë punën e atyre njerëzve të viteve të 90-ta, dhe jemi të sigurtë që deputetët shqiptarë në parlamentin e Kosovës, do ta votojnë një zëri ligjin, pavarësisht problemeve eventuale që i kanë mes veti. Po nuk u votua në parlament ligji, ne do të veprojmë njejtë sikur vepruam në përpjekje për ta dërguar në Qeveri. SBASHK-u e ka pezulluar grevën, por nuk do të thotë që nuk do të ketë greva në të ardhmen, dhe do ta mbrojmë këtë ligj,në çdo formë  të  lejueshme”, ka përfunduar Jasharaj.

Ndërkohë sot ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se një ligj i tillë nuk do të duhej të miratohej, pasi e ka cilësuar si të rrëzikshëm për buxhetin e shtetit.

Sipas tij, ligje të tilla që vijnë nga presione sociale dhe vendime të atypëratyshme rrezikojnë buxhetin.

“Ky ligj e ka një rrezik, po e them. Ka rrezik të bëhet precedent. Buxhetin më së shumti e rrezikojnë presionet sociale dhe vendimet ad hoc”, ka shtuar ai./Periskopi/

 

Të ngjashme