Google ADS

AAK me mbledhje urgjente të kryesisë, garantojnë se nuk do të ketë zgjedhje!

19:43 | 25 Prill 2018
Arbresh.info

Pas përfundimit të tryezës me përfaqësues të partive politike, të thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thirrur takim urgjent të kryesisë së kësaj partie.

Muharrem Nitaj, deputet i Kuvendit të Kosovës, e ka konfirmuar mbledhjen e kryesisë së AAK-së, që ende është duke vazhduar.

Ai për Insajderi ka thënë se arsyeja e kësaj mbledhje ka qenë i natyrës së zgjedhjeve të brendshme në parti, por ka pranuar që brenda takimit është diskutuar mundësia për zgjedhje të parakohshme në Kosovë.

Nitaj tha se sipas asaj që iu ka thënë Blerim Kuçi, pjesmarrës nga kjo parti në tryezën e organizuar nga LDK, nuk ka pasur vullnet nga asnjë parti për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

“Ka pas një informatë të takimit që është mbajt sot. Pjesmarrës nga AAK ka qenë Blerim Kuçi. Të vetmën sen që janë marrë vesh brenda ka qenë vazhdimi i praktikës për tryeza të tilla. Nuk ka pas interesim për zgjedhje të parakohshme nga partitë që kanë qenë në takim”, ka thënë Nitaj.

Nitaj, teksa ka folur për deklarimet e Blerim Kuçit, i cili disa orë më parë tha se opozita mund ta dërgojë vendin në zgjedhje, e ka quajtur ironizim të tij me partitë opozitare.

Për deputetin Nitaj, zgjedhjet e parakohshme janë të pamundura për arsye siç tha ai “ndarjen e VV-së në dysh, dhe zgjedhjet e brendshme në LDK”. Madje, për të deklarimet e partive opozitare për çuarjen e vendit në zgjedhje janë retorikë politike dhe asgjë më shumë.

“Me LDK-në që është në kërkim të liderit të ri të partisë. Me Vetëvendosjen e ndame në dysh. Me PDK-në dhe AAK-në në pushtet, nuk plotësohen as kushtet formale për zgjedhje. Kjo është një ështje retorike për konsum të brendshëm, sesa një kërkesë përmbajtësore për zgjedhje. Kërkush nuk është i interesuar për zgjedhje. Zotëri Kuçi ka ironizu në kuptimin që nëse i kanë 61 vota le të urdhërojnë ta rrëzojnë qeverinë”, ka thënë Nitaj, raporton Insajderi.

Ai gjithashtu tregoi se AAK e Ramush Haradinajt, do t’i mbajë zgjedhjet e brendshme në mesin e qershorit të këtij viti, ku do të zgjidhen organet e reja të kësaj partie.

“Zgjedhjet që do të mbahen në parti. Është votuar numri i delegatëve që do të marrin pjesë në Kuvendin zgjedhor. Është diskutu anëtarsimi i të rinjëve që do të hyjnë në parti. Zgjedhjet do të mbahen në mesin e qershorit të këtij viti”, ka thënë Nitaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme