15 pjesëtarë të Policisë së Kosovës po marrin pjesë në trajnimin për përdorimin e mjeteve motorike në Akademinë e Sigurisë Publike në Vushtrri.
Kjo është gjenerata e parë në Policinë e Kosovës e cila po trajnohet për përdorimin e motoçikletave e skuterëve.
12 pjesëtarë të Policisë nga rajoni i Prishtinës dhe 3 nga ai i Prizrenit kanë pasur fatin të jenë të parët që i janë nënshtruar trajnimit.
Azem Sadiku, instruktor i Njësisë së motoçikletave në Policinë e Kosovës, tha për Kallxo.com se trajnimi për pjesëtarët e policisë do të zgjasë pesë javë dhe ndahet në dy faza.
“Faza e parë përmban ligjërata sipas planprogramit i cili është i miratuar nga Policia e Kosovës: ligjërata në klasë, pastaj fillojmë tri javë në poligon. Java e katërt është në pistë, ku kadetët mësohen edhe me shpejtësinë mbi 50 km/h me e drejtu motoçikletën, ndërsa java e pestë është trajnim në qytet”, tha Sadiku.
Ai tregoi edhe për numrin e skuterëve që janë blerë nga Policia e Kosovës të cilët do të përdoren nga policët e rajonit të Prizrenit dhe Prishtinës që po marrin pjesë në trajnim.
“Policia e Kosovës ka blerë 15 skuterë të llojit Piaggio, që janë të përshtatshëm për punën që do ta bëjnë brenda qyteteve të tyre”, u shpreh Sadiku.
Por si do të vlerësohen pjesëmarrësit në këtë trajnim?
“Vlerësimi i pjesëmarrësve në test bëhet prej ditës së parë, sa janë të angazhuar, sa kanë seriozitet gjatë punës së tyre në poligon, por është edhe testi në fund të javës së tretë, që është testi me shkrim. Pyetësori është nxjerrë nga planprogrami i shpjeguar në klasë edhe testi i këtyre ushtrimeve që i mësojnë gjatë tri javëve në poligon”, tha Sadiku.
Testi për këta pjesëtarë të policisë përmban gjithsej 100 pikë. Një gabim i tyre, një rrëzim i konit apo një vendosje e këmbës në tokë gjatë ekzekutimit të ushtrimeve rezulton me heqje të pesë pikëve.
Policët të cilët kalojnë testin, do të vazhdojnë trajnimin e tyre edhe dy javë në qytet në mënyrë që të përballen me vështirësitë në komunikacion.
Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojm...
Vetplagoset me armë zjarri në person në Gllogoc
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...
Rama ndan fotografitë e një dite kuq e zi në Londër