Google ADS

Negociatat, Rama: I meritojmë! Shqipëria, jo “kokë turku” e politikës së BE

14:10 | 25 Prill 2018
Arbresh.info

Kryeministri Edi Rama thotë se rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë nuk duhet lexuar si hapje e negociatave.

Në një intervistë për DW nga Gjermania, ku ndodhet për një vizitë dyditore, Rama këmbëngul se Shqipëria ka përmbushur detyrimet e saj, por nuk përjashton ndonjë surprizë të pakëndshme, që thotë se lidhet më shumë me qëndrimet politike sesa progresin e Shqipërisë.

“Rekomandimi nuk është për t’u marrë si i mirëqenë. Ne kemi marrë rekomandimin e qartë dhe pa kushte nga Komisioni Europian dhe kjo nënkupton se kemi përmbushur të gjitha detyrimet. Por, tashmë vendimmarrja është e bazuar në gjykimin politik dhe në këtë gjykim ka gjithmonë luftë, këndvështrime dhe interesa të ndryshme”, tha ai.

Kryeministri apeloi që Shqipëria të mos bëhet viktimë e lojërave politike të brendshme të vendeve anëtare të BE-së.

“Do të shpresoja që Shqipëria të mos bëhej peng e asnjë dinamike të brendshme politike dhe të mos përdoret si një “kokë turku” për të avancuar axhenda që nuk kanë të bëjnë aspak me atë që ne kemi bërë”, shtoi ai.

Shefi i Qeverisë shpresoi edhe tek ndihma e Angela Merkel.

“Ka mjaft miq e partnerë të Shqipërisë në këtë proces dhe mbi të gjitha besoj që Kancelarja, që është kampione europiane dhe ka qenë kampione e proceseve transformuese në rajon, duke nisur procesin e Berlinit, do të jetë në favor të çuarjes përpara të këtij procesi në një moment thelbësor”, u shpreh ai.

Rama u pyet edhe në lidhje me qëndrimin e deputetit të Bundestagut, Gunther Krichbaum.

“Po ta shohim nga këndvështrimi i hyrjes në një fazë të re tani, progresi është mjaftueshëm. Po ta shohim si anëtarë, jam dakord me zotërinë (Gunther Krichbaum) se kemi shumë për të bërë. Kjo ka të bëjë me nisjen e një pune të madhe për të qenë të përgatitur”, shtoi ai./top channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme