Google ADS

Arabia Saudite i dhuron Salahut tokë në Mekë

11:04 | 25 Prill 2018
Arbresh.info

Zëvendës-presidenti i komunës në Mekë, Fahd Al-Rowky, njoftoi të hënën se planifikon t’ia dhurojë futbollistit egjiptian, Mohamed Salahut, një copë tokë në Mekë, si shenj urimi për fitimin e çmimit “Lojtari më i Mirë i Vitit në Premierligë”.

Salah, i cili i ka shënuar 43 gola dhe i ka dhuruar 15 asiste për Liverpoolin në të gjitha garat deri tani këtë sezon, të hënën u shpall lojtari më i mirë për sezonin 2017-18 në Premierligë.

Al-Rowky ka thënë për Sabq se ekzistojnë disa opsione për t’ia dhënë dhuratën Salahut.

“Ekzistojnë disa opsione sa i përket dhënies së një cope tokë Salahut. Kjo do të vendoset nga kapiteni Mohamed Salah dhe sistemi saudit. Nëse sistemi saudit lejon që toka në Mekë të jetë në pronësi të Salahut, atëherë atij do t’ia dhurojmë një copë tokë në Mekën e shenjtë pranë xhamisë Al-Haram. Opsioni tjetër do të jetë ta ndërtojmë një xhami në këtë tokë në emër të tij. Dhe opsioni i tretë është ta shesim tokën dhe t’ia japim paratë Salahut, nëse ai pranon”, ka shpjeguar Al-Rowky.

Rowky ka theksuar se ky gjest po bëhet në shenj mirënjohjeje për Salahun dhe sjelljet e tij që meritojnë lëvdata, duke shtuar se mbreti egjiptian është dërgues i mrekullueshëm i islamit në Britani të Madhe.

Të ngjashme