Google ADS

Prizreni dhe Policia, kthejnë prapa Ligjin për Prishtinën

16:23 | 24 Prill 2018
M. A.

Komisioni për Legjislacion ia ka kthyer projektligjin për kryeqytetin e Kosovës bashkë me amendamentet e propozuara, Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, me arsyetimin se shumica e amendamenteve janë kundër Kushtetutës.

Nenet më problematike të propozuara në projektligjin për Prishtinën, ishin neni 2, e cila fliste për kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën dhe kryeqytetin historik të Kosovës, Prizrenin.

Po ashtu problematike ishte edhe amendamenti që parasheh themelimin e drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, drejtorin e të cilit e emëron drejtpërdrejt kryetari i komunës.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, tha se amendamentet e propozuara janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës

“Kanë bërë diçka shumë dëshirore këtu, një amendament hajt të bëjmë diçka, por qysh funksionon kjo punë. Vetëqeverisja lokale është shumë më e komplikuar se sa e kanë paraparë komisioni funksional. Prandaj mendoj që janë në kundërshtim, këto nene, amendamente, shumica prej tyre, në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisje lokale dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, tha Gashi.

Sipas Gashit, me këtë propozim për Policinë e kryeqytetit, lë të nënkuptojë se është një strukturë të re organizative të Policisë dhe vendimmarrës këtu është Kuvendi si propozues dhe si autoritet final kryetari i kryeqytetit. Me këtë, Gashi tha se disbalancohet komplet sistemi, pasi nuk është e qartë çka është policia e kryeqytetit, si definohet, sa të punësuar do t’i ketë, si rekrutohen këta persona.

Madje, ai theksoi se u jep pretekst edhe komunave tjera, sidomos atyre problematike në veri që në të ardhmen të kërkojnë gjëra të tilla.

Edhe nënkryetari i Komisionit për Legjislacion Hajdar Beqa, tha se amendamentet e propozuara janë kundër Kushtetutës, sidomos, amendamenti 2 pika 4.2.

“Personalisht mendoj që amendamenti 2 është në kundërshtim me nenin 13 të Kushtetutës së Kosovës. Po ashtu është ky amendament është në kundërshtim edhe me qëllimin e projektligjit sepse ky projektligj rregullon statusin dhe funksionimin e kryeqytetit pasi gëzon status të veçantë sipas Kushtetutës së Kosovës. Për me tepër në asnjë dispozitë të projektligjit nuk është e përfshirë ndonjë normë që flet për kryeqytetin historik Prizrenin dhe si i tillë nuk mund të përfshihet si normë brenda dispozitave brenda këtij projektligji”, theksoi Beqa.

Deputeti Korab Sejdiu, e quajti projektligjin të cunguar, por sipas tij, më e keqja është se as gjatë amendamentimit në Kuvend nuk është përmirësuar fare.

“Duke filluar nga amendamenti 2 që veç u përmend pikëpyetje sa i përket se a është në Kushtetutë, por është edhe absurde që në ligj për kryeqytetin e Republikës së Kosovës Prishtinën flitet për Prizrenin do të thotë po flet për kryeqytetin e tash po flet për një qytet tjetër. Çështja tjetër ka të bëjë tek ndërlidhja me policinë edhe unë e shoh si shumë problematike këtu adresimin dhe krijimin e Policisë çfarë po parashihet këtu nuk është tash fortë e qartë edhe pse ndoshta ekziston nevoja që Prishtina me pas një Polici të veçantë diçka, por më mirë do të ishte të amandamentohej ligji për Policinë me ç’rast aty çartë përcaktohet edhe mbikëqyrja edhe cilët zinxhir komandues si i përkasin e kështu me radhë”, tha Sejdiu.

Ndërsa, deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Bilall Sherifi, theksoi se nuk është keq që kryeqyteti të ketë Policinë e vet, porse këto amendamente nuk janë ligjore.

“Unë nuk mendoj që është keq të ketë kryeqytetin Policinë e vetë se në fund të fundit ka modele të ndryshme, por a është në përputhje a është në harmoni me legjislacionin në fuqi, a është në harmoni me rregullimin edhe kushtetues edhe ligjor nuk është. Ne mund ta thërrasim komisionin nuk është problem po nuk është se ata do të mund të thonë më shumë sesa me atë që e kanë shkruar me propozimet që i kanë dhënë”, theksoi Sherifi.

Projektligji për kryeqytetin ka kohë që sillet nëpër sirtarët e Qeverisë, derisa menjëherë pas ardhjes së Ramush Haradinajt në krye të ekzekutivit, e ka proceduar për në Kuvend. Prishtina, parashihet edhe me Kushtetutë që të rregullohet me ligj të veçantë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme