Google ADS

Hoxhaj: Temat e platformës së Veselit do ta determinojnë dhjetëvjeçarin e ardhshëm

19:26 | 23 Prill 2018
M. A.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, gjatë një interviste në Klan Kosova, ka vlerësuar se duhet të ketë një konsensus politik për zhvillimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se është koha e fundit që të kemi qartësi rreth këtij procesi.

“Në një proces të tillë duhet ta kemi një cak. Si të ballafaqohemi me Serbinë, e cila e kundërshton pavarësinë dhe vazhdimisht bën përpjekje të minojë integritetit e Kosovës? Gjithashtu do të ballafaqohemi edhe me kundërshtarë strategjikë, siç mund të jetë Moska. Andaj në një proces të tillë duhet të kemi të qartë kontekstin ndërkombëtar të Kosovës”.

“Kemi propozuar që kjo temë të trajtohet në kuvend – të ulemi, të bisedojmë dhe t’i gjejmë modalitetet për të vazhduar tutje. Dialogu ka nevoje për unitet dhe uniteti mund të krijohet rreth subjekteve si kornizë dhe rreth presidentit si figurë unifikuese”.

Hoxhaj është shprehur se iniciativa e platformës së kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, është e nevojshme dhe do t’i shtyjë përpara disa nga proceset më te rëndësishme të Kosovës.

“Besoj se reagimi i subjekteve politike do të jetë pozitiv. Platforma e kryetarit të PDK-se nuk është zbulim i ri. Edhe në të kaluarën ka pasur tema që e kanë ndarë kuvendin dhe për tema të tilla duhet të ulemi dhe të bisedojmë. Temat që janë radhitur nga Veseli janë tema që mund ta determinojnë dhjetëvjeçarin e ardhshëm”.

“Platforma nuk është dokument absolut, por përmban pesë tema që e kanë përcjell vendin. Në vitin e kaluar kemi thënë se qeverisja duhet të marrë vendime të mëdha dhe besoj se gjatë kësaj jave do të gjejmë një modalitet se si t’i qasemi procesit”.

Në lidhje me organizimin e një tryeze nga LDK-ja për diskutimin e mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme, nënkryetari i PDK-së Hoxhaj vlerësoi se e rëndësishme është që të ketë diskutim në lidhje me tema të rëndësishme për vendin.

“Nuk është me rëndësi se kush në cilin takim shkon, mirëpo temat që do të diskutohen. Duhet të kemi një kornizë para se të futemi në tavolinë. Tryeza të tilla ka pasë edhe në të kaluarën që janë mbështetur prej instituteve, OJQ-ve, apo think-tank’eve. Mes partive kosovare nuk shoh ndonjë ndasi përmbajtjesore, por formale”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme