Google ADS

Nis asfaltimi i rrugës që lidh Fierin me plazhin e Semanit

21:33 | 22 Prill 2018
Trina Galanxhi

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri inspektoi punimet që po kryhen nga gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) për asfaltimin e segmentit rrugor që lidh Fierin me plazhin e Semanit.

Kjo rrugë e cila ndodhej në gjendje shumë të amortizuar përdoret në vijimësi edhe nga banorët e më shumë se 14 fshatrave. Përveç banorëve kjo rrugë do të lehtësojë lëvizjen e turistëve drejt Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

“Dua ta falenderoj kompaninë pasi kjo ishte përtej investimeve të planifikuara. Nga ana tjetër, dua të theksoj se në këtë zonë është investuar në shumë rrugë aksesi që kompania TAP ka bërë për gjithë zonën e Semanit. Realisht, infrastruktura është përmirësuar goxha. Ne po punojmë me kompaninë edhe për një investim tjetër të mundshëm në një nga nënstacionet elektrike përfshirë dhe linjën 35 kilovolt e cila furnizon hidrovorin por përmirëson dhe furnizimin me energji elektrike. Këto janë pjesë të paketës së negociuar me shoqërinë TAP e cila ka qenë shumë e gatshme për të adresuar shumë nga problemet sociale të kësaj zone”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Sipas tij, investimet e TAP nuk janë vetëm në rrugë por edhe në ujësjellësa, në shkolla dhe realisht është një model i ri shumë i mirë për tu promovuar se çfarë mund të bëjë një kompani e huaj e madhe për impaktin social.

Rruga e Dermenasit nuk është investimi i vetëm i TAP në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Bashkinë e Fierit. TAP ka ndërtuar në këtë Bashki rreth 8 km rrugë krejtësisht të reja. Për më tepër TAP ka rehabilituar rreth 33 kilometra rrugë ekzistuese, prej të cilave 10 km janë asfaltuar nga TAP dhe 6.5 km janë asfaltuar nga Bashkia e Fierit. Gjithashtu janë përmirësuar një sërë rrugësh të brendshme në disa fshatra. Ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në projekte të tjera në infrastrukturë dhe investime sociale dhe mjedisore./gsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme