Shkollimi i mesëm i obligueshëm në Maqedoni prej vitit 2017, nuk ka mundur të ndryshojë gjendjen sa i përket qasjes jo të barabartë të nxënësve sipas vendbanimeve të tyre. Komuna të mëdha rurale, të banuara kryesisht me shqiptarë nuk kanë ende shkolla të mesme edhe pse me Ligj të gjithë janë të detyruar të regjistrojnë këtë nivel shkollimi, shkruan gazeta Koha. Kur janë në pyetje komunat ku kryesisht jetojnë maqedonas situata ndryshon dukshëm, nuk ka komunë ku të mos ketë shkollë të mesme apo paralele të disperzuara nga shkollat e qyteteve shumë kohë para se arsimi i mesëm të bëhet i obligueshëm me Ligj.
Të tilla janë komunat e Draçevës dhe Ilindenit në Shkup, Radostushës në Mavrovë, Zhupës në Dibër, Makedonski Brodit në rrethin e Krushevës apo Makedonska Kamenicës në rrethin e Dellcevës.
Tre vjet më parë u hap një shkollë e mesme në Saraj të Shkupt, në vitin 2014 paralelet e disperzuara nga Gostivari në Zhitoshë u pavarësuan në gjimnaz, ashtu sikurse u themelua në këtë kohë edhe një shkollë e mesme në Vrapçishtë të Gostivarit. Sakaq, shumë vite përpara ishte themeluar një shkollë e mesme në Likovë të Kumanovës.
Mirëpo, në përjashtim të Sarajit dhe Likovës, komunat tjera ku gravitojnë shkollat në fjalë nuk kanë më tepër se gjashtë – tetë mijë banorë. Ka shkolla si ajo e Ilindenit, Radostushit, Makedonski Brodit dhe Makedonska Kamenica, të cilat nuk arrijnë të formojnë as nga dy paralele për shkak të kapaciteteve të limituara, ndërsa nga ekstremi tjetër kemi komuna me mbi 24 mijë banorë si Zhelina e Tetovës, apo me nga mbi 19 mijë banorë si Studeniçani dhe me mbi 17 mijë banorë si Haraçina e Shkupit, të cilat nuk kanë ende shkolla të mesme. Meqë këtu nuk ofrohet mundësia e shkollimit në nivelin e mesëm, mijëra nxënës të moshës përkatëse detyrohen të udhëtojnë çdo ditë deri shkollat e qyteteve më të afërta. Iniciativat, sigurisht që nuk kanë munguar, mirëpo, duket se organet kompetente të pushtetit qendror dhe lokal, konkretisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe komunat gjegjëse nuk e kanë marrë edhe aq seriozisht çështjen e shkollave të mesme. Ose, në pjesën dërmuese të atyre që duhet të sjellin vendimet dhe të bëjnë presion për realizmin e ideve të këtilla dominon bindja se “shqiptarët nuk është mirë të kenë shkolla rurale”.
Sepse sipas tyre, “nxënësit duke vajtur çdo ditë deri te shkollat e qytetit do të socializohen më shpejt dhe më tepër se sa po të mësonin në shkollat e fshatit”. Megjithatë, mungesa e këtyre shkollave në shumë vende rezulton me mos përfshirjen aspak në nivelin e shkollave të mesme, sidomos të vajzave. Ky fenomen është më tepër i theksuar në fshatrat e Komunës së Velesit ku gati 90 për qind vajza që kryejnë shkollimin fillor nuk vazhdojnë arsimin e mesme, pasi shkolla më të afërta janë në Veles.
Por përtej këtyre qasjeve që kanë të bëjnë me konceptet për rolin që duhet të ketë shkolla në aspektin social, nga ana formale MASH duhet të sigurojë gjasa reale për shkollim të mesme për të gjithë nxënësit njëlloj. Pra ashtu sikurse ka shkolla të mesme për nxënësit shqiptarë të Sarajit apo Vrapçishtit, të njëjtën mundësi duhet ta gëzojnë edhe nxënësit shqiptarë të Haraçinës, Studeniçanit dhe Zhelinës.
Përveç kësaj, kur bëhet fjalë për një detyrim ligjor MASH duhet të krijojë kushte pavarësisht nëse një gjë e tillë është kërkuar nga komunat ose jo, ose të ngre iniciativa kur të njëjtat i mungojë pushtetit lokal. Fundja, në krye të politikave arsimore qëndron MASH-i dhe jo komunat, pasi ekzistimi ose jo i shkoklave përben një element me rëndësi në krijimin e atyre politikave. Për më tepër iniciativat nuk kanë munguar as nga Haraçina, Studeniçani dhe Zhelina. Madje, pesë vite më parë, në buxhetin e investimeve kapitale të MASH-it ishin ndarë 1 milion denarë për përgatitjen e punëve për ndërtimin e një shkolle të mesme në Komunën e Haraçinës. Mirëpo, investimi dështoi të realizohet pasi nuk u gjend lokacioni i përshtatshëm për ndërtimin e shkollës në këtë Komunë dhe që padyshim se është një argument i paqëndrueshëm sepse pushteti qendror (MASH) dhe pushteti vendor (Komuna) funksionojnë për të gjetur zgjidhjet aty ku mungojnë, në këtë rast truall për ndërtimin e një shkolle të mesme. (koha.mk)
Qytetarët ankohen për ngecje të punimeve në rrugën Prishtinë...
Tottenhami ‘gjunjëzon’ Man Cityn – fiton me rezultat të thel...
Swica: SHBA e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovë...
Xheneta akuzon Rovenën për fshehjen e gjësendeve të saj
Pushimi i hetimeve ndaj Bujës, Hodaj: Kishte seanca private ...
Abdixhiku: Do të investojmë 500 milionë euro për centralin m...