Barça siguron trofeun e parë sezonal, shkatërron Sevillan në finale

23:21 | 21 Prill 2018
Arbresh Info

Barcelona ka fituar trofeun e parë brenda këtij sezoni.

Lideri në La Liga ka shkatërruar Sevillan në finale të Kupës së Mbretit duke e mposhtur me rezultat tronditës 5 me 0 në Wanda Metropolitano për të siguruar kupën e 30-të në përgjithësi të këtij kompeticoni dhe të katërtën radhazi, shkruan portali arbresh.info.

Luis Suarez realizoi golin e epërsisë për 1 me 0 në minutën e 14′ para se Lionel Messi të dyfishonte shifrat për 2 me 0 vetëm 15 minuta më vonë. Ylli argjentinas realizoi gol të bukur nga afërsia pas super asistimit nga Jordi Alba me thembër.
Reprezentuesi uruguaian arriti të shënonte sërish brenda pjesës së parë duke realizuar golin e dytë personal në minutën e 40′. Messi, i cili u bë lojtari i dytë në histori që ka shënuar në pesë finale të ndryshme në Kupë të Mbretit, ishte asistues i këtij goli.

Fituesi i pesëfishtë i Topit të Artë asistoi edhe në golin e shënuar për 4 me 0 në minutën e 52′ nga Andres Iniesta.

Goli i pestë dhe i fundit u realizua nga mesfushori Philippe Coutinho që u tregua i saktë me goditjen nga pika e bardhë.

Pas këtij trofeu, skuadra e Ernesto Valverdes qëndron vetëm tri pikë larg titullit në La Liga./arbresh.info/

Shikoni pesë golat e realizuara nga Barcelona:

Të ngjashme