Topalli refuzon “karrigen” e Bashës: Shkatërroi PD-në!

18:15 | 21 Prill 2018
Arbresh.info

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka reaguar me tone të ashpra kundër Lulzim Bashës pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Ajo thotë se me këtë mbledhje, kryetari i PD-së vrau edhe me letra demokracinë e brendshme të partisë dhe e cilëson propagandë vendimin e Këshillit për të kthyer anëtarë të tij figurat që kanë drejtuar institucionet kryesore të vendit, përfshirë Topallin vetë.

“Lulzim Basha i dha vetes të gjitha pushtetet duke vrarë edhe me letra demokracinë e brendshme dhe për të mbuluar këtë turp, Luli bën kujdes të shpërndajë në media se po kthehet Jozefina në Këshillin Kombëtar, sepse Luli paska pranuar që anëtare të KK të jenë ish-Kryeministri, ish-Presidenti dhe ish-kryetari i Parlamentit”, thotë ajo.

Ish-kryetarja e Kuvendit e quan këtë një “hile” të orkestruar nga Lulzim Basha.

“Hileqar siç di të jetë vetëm ai, për të mbuluar çimentimin e tij dhe kapjen përfundimtare të PD. Ky nen në statutin e PD ka qenë në vite”, vijon Topalli.

Ish-deputetja e Shkodrës e cilëson falsitet edhe vetë mbledhjen e Këshillit.

“Për herë të parë në historinë e PDSH ndodh që në Këshillin Kombëtar të PD të mos lejohet që të diskutohet për zhvillimet politike; të mos lejohet të bëhet një analizë e situatës pas humbjeve të përsëritura dhe në veçanti pas humbjes katastrofale të 2017”, shton më tej Topalli.

Thelbi i mbledhjes dhe i draftit “Basha”, thotë Topalli, ishte mbrojtja e karriges së Lulit.“Ai mund të humbë të gjitha zgjedhjet edhe më zi se një vit më parë, por Luli aty do të jetë me statutin e ri. Shqiptarët do të vazhdojnë të ikin të pashpresë nga ky vend, por Luli me letra karrigen prap do e ketë. Shqipëria do të vazhdojë të zhytet e të vuaje nga krimi, korrupsioni e varfëria, por tani që po bën letrat e tij , askush nuk do shqetësojë më “Kryetarin e përjetshëm”, thotë Topalli.

Ish-kryetarja e Kuvendit refuzon “karrigen” që i ofrohet.

“E kisha karrigen dhe e bëra të qartë publikisht se me LB kam diferenca të mëdha. Unë nuk kam nevojë për asnjë karrige! Asnjë në këtë botë, as më heq as më vendos në PD, sepse në PD-në e endrrave të viteve ‘90 unë kisha hyrë që para se të lindja, por këtë Luli nuk e kupton”, thotë ajo.

Topalli akuzon Bashën duke thënë se ai kontrollohet nga Rama.

“Natyrisht nuk hesht kur shoh vendin tim të rrëshqasë, kur shoh e dëgjoj se kryetari i opozitës është miku i kryetarit të Qeverisë! Nuk hesht kur shoh se kreu i opozitës kontrollohet nga qeveria, sepse e di që një vend pa opozitë është një vend pa shpresë; aq më shumë për ne, që e kemi provuar shumë gjatë dhe me kosto shumë të lartë diktaturën. Për karrigen e vet ai e ktheu PD si një karrige me rrota, që herë e shtyn me Ramën, herë me LSI, por kurrë me demokratët. Jozefina nuk pajtohet kurrë që për demokratët të vendosë Rama me të tjerë”, vijon më tej ish-deputetja demokrate.

Partia Demokratike, në kendvështrimin e Topallit e shpëton vetëm një rrugë.

“Lul Basha duhet të dorëhiqet për rezultatin katastrofal që i ka dhënë PD! Ai duhet të largohet për marrëveshjen e tradhtisë me Ramën, për shpartallimin që u ka bërë strukturave, për rrëshqitjen majtas e mbi të gjitha për moskryerjen e misionit si opozitar. Partia Demokratike ka nevojë për një fillim të ri, rindërtim, bashkim, rithemelim”, shkruan Topalli./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme