Raporti i Progresit i Komisionit Evropian ka konstatuar një përparim të vogël në ekonominë e Maqedonisë në krahasim me ngecjet e mëdha në të kaluarën, por kjo vlerësohet e pamjaftueshme për konsolidimin dhe zhvillimin e saj. Vlerësime janë dhënë për ekonominë e tregut dhe gatishmërinë e institucioneve që të përballet me konkurrencën e tregut evropian.
Me gjithë krizën e rëndë politike, Maqedonia, siç thuhet në raport, ka arritur një përparim në menaxhimin dhe transparencën e financave publike. Mirëpo, mbeten dobësitë kryesore të ekonomisë, si realizimi i dobët i kontratave dhe shkalla e lartë e ekonomisë joformale, raporton Radio Evropa e Lirë.
Politika fiskale është e orientuar drejt masave afatshkurtra dhe mungon një plan konsolidimi i qëndrueshëm. Ekonomia, gjithashtu, ende vuan nga infrastruktura joadekuate, mungesa e kuadrove, pengesat në tërheqjen e investime, e çështje tjera.
Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, thotë se vërejtjet janë reale dhe se Qeveria, sipas tij, vëmendje të posaçme do t’u kushtojë të gjitha vërejtjeve, para së gjithash ekonomisë joformale.
“Do të kemi parasysh prodhimet bujqësore, mënyrën e blerjes dhe shitjes së tyre, mënyrën e shpërndarjes dhe paketimit. E gjithë kjo është jashtë sistemit financiar të vendit gjë që jep një pasqyrë aspak të mirë për tregun evropian. Ne, duhet ta përmirësojmë gjendjen nëse dëshirojmë të jemi konkurrues”, thotë Angjushev.
Nga Qeveria besojnë se raporti pozitiv në politikë dhe zhbllokimi eventual i procesit integrues do ta përmirësojnë edhe ekonominë vendore.
Por, ekspertët, nga ana tjetër, thonë se vlerësimet pozitive janë sipërfaqësore, pasi në esencë Qeveria ka ende shumë punë për ngritjen e ekonomisë që është në gjendje shumë të rëndë.
“Pozitivisht janë vlerësuar edhe përpjekjet për konsolidimin fiskal, por drejtimi afatgjatë i kësaj mase mbetet i paqartë. Kjo korrespondon edhe me pasigurinë që ka shfaqur Qeveria lidhur me reformat tatimore, para së gjithash, ato që kanë të bëjnë me tatimin progresiv”, thotë Ivan Vëçkov, njohës i politikave tatimore.
Edhe Arben Halili, njohës i çështjeve të ekonomisë, thotë se Qeveria duhet të bëjë shumë më tepër për të arritur zhvillimin ekonomik, edhe pse, sipas tij, Raporti i Progresit ka shfaqur optimizëm për dallim nga e kaluara. Halili thotë se pritjet e qytetarëve nga Qeveria e re, ishin shumë më të mëdha se sa që ajo ka bërë deri më tani.
“Gjithsesi se ky Raport Progresi sikur kthen në një formë një dozë optimizmi te qytetarët, te biznesi rreth reformave të paralajmëruara dhe të ndërmarra pjesërisht, por gjithsesi se për sektorin e biznesit nuk është i mjaftueshëm vetëm Raporti i Progresit, por edhe politikat konkrete ekonomike, të cilat duhet t’i ndërmarrë Qeveria e që duhet të ndiheshin nga ana e biznesit. Kjo gjë tani për tani nuk është duke ndodhur dhe biznesi nuk është duke ndjekur dorën e bashkëpunimit pozitiv, respektivisht lehtësirat e ndryshme, të cilat premtoheshin se do të vihen në dispozicion”,thotë Halili.
Nga Qeveria thotë se janë reale parashikimet për një rritje ekonomike këtë vit prej 3.2 për qind, por nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që fillimisht kishin dalë me një projektim të tillë, tani së fundi ka dalë me shifër të re që nuk parashikon rritje më të madhe se 2.8 për qind.
Ekspertët thonë se Maqedonia duhet të angazhohet që rritja në vitet e ardhme të shkojë deri në 5 për qind në të kundërtën, ata thonë se me rritjen e deritanishme, Maqedonia edhe gjysme shekulli nuk do të mund të arrijë standardit të tanishëm të Bashkimit Evropian./REL/
Agjenda e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe...
Foda: Kosova më nuk do të tolerojë të ofendohet
Pacolli: Ministër Peci, reagimi emocional mund të japë përsh...
Mos e përdorni këtë fjalëkalim pasi hakerit do t’i duhet vet...
Reali do ta huazojë Endrickun, pesë klube pas yllit brazilia...
Vazhdon debati mes Edit dhe Gresa, sherr rrobat