Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), ka publikuar sot raportin vjetor për Kosovën për vitin 2017, në të cilin shfaq shqetësime për korrupsionin, ndërhyrjet në drejtësi, dhunën ndaj gazetarëve e të ngjashme.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në një prononcim për Telegrafin ka thënë se dy raportet kredibile ndërkombëtare si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) dhe Raporti i Komisionit Evropian (KE), dëshmojnë realitetin në të cilin është sot sistemi i drejtësisë në Kosovë.
Sipas tij, raporti i DASH-it dhe Raporti i Progresit, pothuajse evidentojnë të njëjtat gjetje të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), si rezultat i monitorimit sistematik të sistemit të drejtësisë.
“IKD, në mënyrë te vazhdueshme ka potencuar lidhur me politizimin e sistemit prokurorial dhe gjyqësor, ndërhyrjet politike dhe të grupeve të interesit në emërimin e pozitave të larta në sistemin e drejtësisë, si dhe në shkeljen e afateve ligjore në trajtimin e lëndëve gjyqësore pothuajse në të gjitha fushat, si atë penale, civile, administrative, ekonomike, etj”, ka thënë Miftaraj.
Ai tha se këto dy raporte pashmangshëm dëshmojnë se rruga e vetme e shpëtimit është procesi i vetingut në polici, prokurori dhe gjykata.
“Dy raporte kredibile ndërkombëtare si ky i DASH-it dhe Raporti i Komisionit Evropian, dëshmojnë realitetin në të cilin sot është sistemi i drejtësisë në Kosovë. Një sistem që është selektiv në ndarjen e drejtësisë, persekutues në raport me individë të caktuar dhe amnistues në raste kur politikanë të fuqishëm, policë, prokurorë apo gjykatës të caktuar janë shkelës të ligjit. Këto dy raporte pashmangshëm dëshmojnë se rruga e vetme e shpëtimit është procesi i vetingut në polici, prokurori dhe gjykata dhe pastrimit të këtij sistemi nga individë që tanimë janë të dëshmuar se nuk janë në shërbim të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, por janë në shërbim të politikës dhe grupeve të interesit”, tha ndër të tjera Miftaraj.
Ndërsa avokati Musa Damati, për Telegrafin theksoi se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) është raport shqetësues dhe duhet të shërbej si alarm për shtetin e Republikës së Kosovës.
Damati u shpreh se korrupsioni endemik i qeverisë, sulmet ndaj mediave, jo respektimi i të drejtave të njeriut dhe mungesa e pavarësisë së gjyqësorit, janë elemente kancerogjene të cilat mund ta fundosin shoqërinë.
“Këto e rrezikojnë seriozisht substancën demokratike të shtetit duke i cenuar edhe parimet për sundimin e ligjit”, tha ai.
Qeveritarët, sipas avokatit Damati, duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre kushtetuese për avancimin e Republikës së Kosovës në këto fusha.
“Shtresat qeveritare duhet të përmbushin përgjegjësinë e tyre kushtetuese për avancimin e Republikës së Kosovës në këto fusha kruciale, duke shfaqur pjekurinë e tyre institucionale në drejtim të luftës më serioze kundër korrupsionit, krijimin e pavarësisë më të madhe mediale, mosndërhyrjet në drejtësi, dhe duke e shfaqur vullnetin e tyre më serioz për sundimin e Ligjit”, potencoi Damati.
Ndryshe, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), në raport thekson se problemet kryesore të të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë vitit 2017 ishin sulmet ndaj gazetarëve; dhuna kundër personave të zhvendosur; korrupsioni endemik i qeverisë; mungesa e pavarësisë së gjyqësorit, përfshirë dështimet e proceseve zbatimin selektiv të vendimeve dhe dhuna kundër pjesëtarëve të pakicave etnike dhe anëtarëve të komunitetit LGBTI. /Telegrafi/
Shpërthim në Prishtinë, lëndohet një person
Leëandowski arrin shifrën e 100 golave në Ligën e Kampionëve
Yll Limani përmbyll vitin me një koncert madhështor
Paraburgim ndaj tre të arrestuarve në Manastirin e Deçanit
Milan shënon fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve
3 orë mosbindje civile, mbyllet protesta e opozitës në Shqip...