Shprehjet agresive, ofendimet, sharjet e fyerjet vazhdojnë t’i përcjellin seancat e Kuvendit të Kosovës.
Madje gjuha e përdorur pothuajse në secilën seancë vazhdon të jetë mjaft denigruese jo vetëm në mes deputetëve, por edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Si pasojë e kësaj po kërkohet që të ndalohet sa më parë përdorimi i një gjuhe denigruese dhe ndaj atyre deputetëve që përdorin një gjuhë të tillë të merren masa të menjëhershme, shkruan arbresh.info.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala ka thënë për Arbresh.info se gjuha e cila është përdorur dhe po vazhdon të përdoret në Kuvend gjithmonë ka qenë më shumë e përshtatshme për “rrugaçë”.
“Kjo gjuhë thjesht nuk ka asnjë kufi, duket që Kuvendi është bërë një arenë ku njeriu shkon për ta mundur tjetrin me fjalë e jo me argumente dhe mendoj që kjo gjuhë duhet të sanksionohet, duhet të bëhet përmes ndërrimit të rregullores së Kuvendit. Duhet të gjendet një mënyrë tjetër e cila do t’i dënoj ata të cilët e përdorin një gjuhë e cila nuk është në përputhje me kodin apo standardin i cili përdoret në Kuvend”, ka thënë Shala.
Sipas tij, kjo gjuhë është degraduar skajshmërish dhe si e tillë duhet të ndërpritet, përndryshe siç thotë Shala Kuvendi në këtë formë është bërë një vend ku gjuha që përdoret aty nuk përdoret as në kafene e as në rrugë.
Madje, thotë se deputetët që përdorin një diskurs të tillë duhet të sanksionohen qoftë edhe me përjashtim nga seanca për një kohë të caktuar.
“Në atë moment kur dikush e përdor një gjuhë fyese dhe e cila është jashtë standardeve ,morale apo jashtë mandatit të deputetit duhet ti merret fjala, pra kjo vlen për çdo kënd që përdor qoftë, deputet, nënkryetar, kryetar, apo shef i grupit parlamentar ai duhet thjesht të sanksionohet qoftë me para, qoftë me përjashtim nga seanca për një kohë të caktuar”, ka deklaruar ai.
Që duhet të ketë ndëshkim për ata që përdorin gjuhë fyese e thotë edhe politologu, Gurakuç Kuçi.
Sipas tij, gjuha në Kuvend çdo herë ka qenë e degraduar dhe se aty debatohet për gjithçka por asnjëherë për interesat e qytetarëve të vendit.
“Kjo gjuhë që përdoret në Kuvend, është gjuhë e njerëzve që nuk dinë të flasin me argumente dhe në mungesë të dijes së nevojshme përdorin gjuhën e rrugëve. Këto veprime tregojnë pa kulturë politike, pa kulturë të debatit dhe pa kulturë njerëzore, gjuha e tillë denigruese, denigron edhe qytetarët si votues sepse çdo fyerje që bëhet aty fyhen edhe votuesit, pastaj çdo fyerje aty pastaj kalon edhe në përdorim të zakonshëm dhe denigrues edhe në instanca tjera institucionale dhe shoqërore duke shkaktuar dëme të pallogaritshme në ruajtjen e kulturës politike dhe sociale, në krijimin e një kohezioni civilizues social dhe politik”, ka deklaruar Kuçi.
Kuçi, ka pohuar se ata që përdorin një gjuhë të tillë duhet të sanksionohen me ligjin për Kuvendin.
“Gjëra të tilla duhet të ishin të sanksionuara me ligjin për Kuvendin, dhe ndëshkimet duhet të ishin evidente për të tillët, por ky ligj nuk bëhet nga ata që nuk dinë gjuhën institucionale, demokratike dhe zhvillimore, e edhe nëse e bëjnë ia përshtatin vetvetes sikur më shumë ligje të tjera. Dhe gjithë kjo ndodh për shkak se qytetarët heshtin dhe binden pa menduar. Klasës politike kështu u nevojitemi, njerëz që nuk mendojnë sepse sundojnë më lehtë”, ka thënë ai.
Për gjuhën fyese e cila po përdoret në Kuvendin e Kosovës, ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës.
Ata përmes një komunikate për medie kanë thënë se “është e papranueshme që deputetët e Kuvendit të fyejnë njëri tjetrin dhe të përdorin gjuhë misogjene. Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë i shtetit, duhet të shërbejë si vend ku promovohen vlerat e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore, e jo të shndërrohet në arenë ku përplasjet dhe fyerjet janë normale”.
KDI u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që t’i japin fund gjuhës jo parlamentare dhe të përmbahen nga fyerjet e vazhdueshme, ndërsa kërkon që të ndërmerren masa të menjëhershme ndaj deputetëve që përdorin gjuhë jo parlamentare./arbresh.info/J.Zhuniqi/
Rama: Shqipëria Turistike, në gjigantin mediatik amerikan Wa...
Chelsea kthehet te fitorja, triumfon në udhëtim te Leicester...
Sulmet izraelite në Gazë, shkon në 189 numri i gazetarëve të...
Gjendet pa shenja jete një 61-vjeçar në Shtërpcë, policia ni...
Osmani takohet me ministren kanadeze, diskutojnë për situatë...
Jashari takohet me shefen e Mbrojtjes së Forcave të Armatosu...