Vrasjet e palestinezëve, aktorja me origjinë hebraike refuzon një çmim nga Izraeli

01:17 | 21 Prill 2018
Trina Galanxhi

Aktorja hollivudiane me origjinë hebraike, Natalie Portman ka refuzuar të marrë pjesë në një ceremoni në Izrael, ku do merrte një çmim prej 1 milion dollarësh. Shkak, sipas njerëzve pranë saj janë ngjarjet e fundit në kufirin e Gaza-s, ku dhjetra palestinezë u vranë, disa prej tyre dhe në mënyrë makabre me snajpera.

Në një deklaratë në faqen e saj të internetit, fondacioni izraelit që jep “Çmimin e Zanafillës”, atë pra që do i jepej Portman-it, shkruan se “ngjarjet e fundit kanë qenë jashtëzakonisht shqetësuese për të dhe ajo nuk ndihet mire që të jetë prezente në ndonjë ngjarje publike në Izrael”.

Fondacioni tha se “admiron humanitetin e saj dhe respekton të drejtën e saj për të mos u pajtuar me politikat e qeverisë së Izraelit”.

 “Megjithatë, ne jemi shumë të pikëlluar që ajo ka vendosur të mos marrë pjesë në ceremoninë e ‘Çmimit të Zanafillës’ në Jerusalem për arsye politike. Ne druhemi se vendimi i zonjës Portman do të bëjë që iniciativa jonë filantropike të politizohet”.

“Çmimi i Zanafillës” i është dhënë që nga viti 2014 individëve për përsosmëri në fushat e tyre profesionale dhe “që frymëzojnë të tjerët përmes përkushtimit të tyre ndaj bashkësisë hebraike dhe vlerave hebraike”.

Fituesit e mëparshëm janë emra si ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg; skulptorin Anish Kapoor; violinistin Itzhak Perlman dhe aktori i Hollivudit, Michael Douglas.

Portman u lind në Jerusalem dhe u zhvendos në Shtetet e Bashkuara në moshën 3-vjeçare./tesheshi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme