Ish-kryeministri francez, kandidat për Bashkinë e Barcelonës?

21:44 | 20 Prill 2018
Trina Galanxhi

Ish-kryeministri i Francës, Manuel Valls po konsideron mundësinë që të kandidojë në zgjedhjet për Bashkinë e Barcelonës, vitin e ardhshëm, si kandidat i partisë së qendrës së djathtë, “Ciudadanos”.

Valls, i cili është lindur në Barcelonë, me një baba katalanas dhe një nënë italo-zvicerane, është kundërshtar i ashpër i përpjekjeve për Pavarësinë katalanase, ashtu si partia “Ciudadanos”.

I pyetur për ofertën e partisë që të paraqitet në zgjedhje me të, Valls tha se është i interesuar të vazhdojë debatin për Pavarësinë dhe do ta studiojë shumë mirë ftesën.

Në një intervistë për kanalin publik spanjoll “TVE”, Valls tha se lëvizja separatiste e ka tronditur Katalonjën dhe e ka përçarë fort.

Valls ishte kryeministër i Francës mes viteve 2014 dhe 2016. 55-vjeçari e ka prezantuar veten si kundërshtar i fortë i Pavarësisë së Katalonjës dhe muajin e shkuar mori pjesë në një marshim uniteti në Barcelonë.

Analistët thonë se mbështetja në Spanjë për partinë “Ciudadanos”, apo “Qytetarët”, është rritur ndjeshëm dhe nëse Valls do ta pranojë sfidën, ai ka mundësi të konsiderueshme për të fituar.

Kreu i Bashkisë së Barcelonës, aktualisht është Ada Colau, udhëheqëse e lëvizjes qytetare “Barcelona en Comú”, që mbështetet nga disa parti të majta, por mediet shkruajnë se mbështetja për të po bie dhe separatistët po mendojnë për kandidatët e tyre në zgjedhjet lokale./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme