Haradinaj: Sali Çekaj, atdhetar e intelektual i shquar që dinte me çka po përballej

13:52 | 19 Prill 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Ramush Haradinaj mori pjesë në Akademinë Përkujtimore – Dita e rënies së Heroit Sali Çekaj, Dita e veteranëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes 2018”, që organizohet nën patronatin e Kryeministrit.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se heroi i Kombit, Sali Çekaj, është një dimension i hershëm, që flet për gjithë parametrat e një atdhetari të shquar, intelektuali, por edhe një njeriu që dinte me çka po përballej.

“Këtu flitet për përcaktimin e tij, shohim e gjejmë tek ai, një luftëtar që është në parametra shumë të lartë, intelektual e kombëtar, por që është i gatshëm poashtu
të mbetet në përgjegjësi, edhe kur këto përgjegjësi kërkojnë sfidën më të rëndë, luftën dhe që i ekspozohesh edhe flijimit”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Flijimi i tij në luftë për liri, e mbyllë kapitullin e një luftëtari shqiptar të shquar dhe i cili me vetëdije të plotë i ka kaluar etapat, nëpër të cilat është ndodhë populli i tij.

Kryeministri Haradinaj, gjithashtu tha se nëse sot jemi të bashkuar për t’i përmbyllur çështjet e hapura të atdheut tonë, Kosovës, ashtu i shërbejmë amanetit të dëshmorëve.

Përveç akademisë Kryeministri Haradinaj, organizoi edhe pritje nderimi për familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e heroit Sali Çekaj, në objektin e Qeverisë.

Në këtë akademi, me nga një fjalë rasti, folën edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Eprori i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Hysen Berisha dhe në emër të familjeve të dëshmorëve, djali i heroit Sali Çekaj, Hysen Çekaj.

Në vazhdim, po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Haradinaj në këtë akademi:

Sali Çekaj dallon në profilin e vet, dallon për shkak se formimi i tij ishte formim i hershëm dhe pikëpamjet deri në rrugën për liri, ishin shumëdimensionale.

Vite më përpara ai punoi për të ndryshuar normën të cilën ne e jetonim, normën e statutit të komunës së vet, nga një statut i një norme që ishte pushtuese, nënshtruese për shqiptarët, në statut të një norme që do të ishte çliruese, e që do ta respektonte vetveten.

Çekaj është një dimension i hershëm, që flet për gjithë parametrat e një atdhetari të shquar, intelektuali, por edhe një njeriu që dinte me çka po përballej.

Ndryshimi i kësaj norme të këtillë, kërkoi nga Sali Çekajt atë që është më e vështira, kërkoi edhe luftën përballje me të gjitha vështirësitë që i ka lufta, jo vetëm me armikun përballë, por me të gjitha sfidat që i ka një luftë për liri e një populli të robëruar. Mirëpo, ai nuk u ndal.

Këtu flitet për përcaktimin e tij, shohim e gjejmë tek ai, një luftëtar që është në parametra shumë të lartë, intelektual e kombëtar, por që është i gatshëm poashtu të mbetet në përgjegjësi, edhe kur këto përgjegjësi kërkojnë sfidën më të rëndë, luftën dhe që i ekspozohesh edhe flijimit.

Flijimi i tij në luftë për liri, e mbyllë kapitullin e një luftëtari shqiptar të  shquar dhe i cili me vetëdije të plotë i ka kaluar etapat, nëpër të cilat është ndodhë populli i tij, duke mos u larguar asnjëherë nga përgjegjësitë dhe nga ato që janë pritur prej tij.

Kësisoj, pra i një profili të tillë, jam i bindur, i ka ndihmuar bashkëluftëtarët, i ka ndihmuar të gjithë për të kuptuar rrugëtimin deri në liri, por njëkohësisht, edhe të pranojë sakrificën sublime, atë të flijimit.

Me të drejtë sot, flasim për Veteranin dhe veteranët. Po flasim për Veteranin dëshmor, hero në betejë dhe këto janë momente që në historinë tonë të re na fuqizojnë dhe na bëjnë më të zot me i ecë sfidat që e presin atdheun tonë sot, e që do ti kemi nesër.

Të gjitha paqartësitë që i krijojmë, na i krijojnë ose na ndodhin, lehtë mund të qartësohen, nëse e shohim se secili nga perspektiva e vet, nga kapaciteti i tij, nga
mundësitë që i janë dhënë, i jep përkrahje çështjes dhe të drejtës së atdheut.

Do të kemi çdoherë pikëpamje të caktuar, informata e pozicione të caktuara, por, nëse kujdesin dhe atë që na e ka dhënë jeta, ia kushtojmë atdheut, të gjithë do të jemi të bashkuar. Asnjëherë, askush, nuk do të mund të na ndajë.

Nëse sot jemi të bashkuar të sigurojmë një tranzicion të mirë të ushtrisë, pra të FSK-së, ne e vëmë amanetin e heroit të vend. Nëse sot jemi të bashkuar për t’i përmbyllur çështjet e hapura të atdheut tonë, Kosovës, ashtu i shërbejmë amanetit të dëshmorëve. Nëse ne shkojmë qosheve, do ta pengojmë realizimin, pikërisht të asaj për të cilën janë flijuar ata të cilët i nderojmë.

E kuptojmë, më së rëndi e kanë familjet, e ka gruaja, djali, por, po ashtu kjo barrë bie mbi të gjithë ata që e kanë mundësinë për t’i nderuar të rënët në altarin e lirisë.

Edhe kjo akademi sot, është një nder që i kushtohet sakrificës për liri të gjithë Brigadës 138 “Agim Ramadani”, e të gjithë të gjallëve, veçanërisht heronjve, e veçanërisht heroit Sali Çekaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme