Kosova vazhdon të mbetet në “fazë të hershme” në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në reformimin e sistemit gjyqësor dhe administratës publike, në zhvillimin ekonomik dhe përparimin në cilësinë e arsimit. Këto janë vërejtjet kryesore të publikuara të martën në Raportin e Progresit nga Komisioni Evropian, shkruan arbresh.info.
Raporti i shumëpritur i Komisionit Evropian për Kosovën mori komente të ndryshme. Pozita e pa si raportin më pozitiv deri më tani, ndërsa opozita dhe analistët thonë se është raport i dështuar për Kosovën, duke përjashtuar mundësinë e liberalizimit të vizave gjatë këtij viti.
Dy partitë më të mëdha opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosja, mbajnë përgjegjëse qeverinë e Kosovës për mos ecje përpara të proceseve integruese.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, thotë se është i ngjashëm me raportet e kaluara ku theksi vendoset tek influenca politike mbi gjyqësorin.
“Drejtësia nuk ka as vullnet as kapacitete me luftu krimin e organizuar. Politika ka shumë ndikim në gjyqësore dhe ka jashtëzakonisht pak raste të dënimit me vendim të prerë të gjykatave për zyrtarë të niveleve të larta. Atje përdoren disa shprehje te cilat janë të specializuara dhe të profilizuara qartë. Psh shprehja anglisht “at an early stage” i bie që ajo fare nuk ekziston. Pra gjyqësori thuhet se është ne hapat e veta të para. Kjo është për të ardhur keq sepse janë bërë 17 vite që Kosova ka sistem të drejtësisë dhe këto vite mund të quhen vite të humbura në kuptimin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në vitin 2018 po thuhet qe Kosova po i qet hapat e para në drejtësi kjo është më të vërtetë pikëlluese sepse sa shumë vite ne kemi humbur për shkak të kësaj politike që e ka kapur drejtësinë se e shfrytëzon si instrument të vetin”, tha ai në një intervistë për portalin Arbresh.info.
Konjufca theksoi se në raport thuhet se reformat janë ngadalësuar, ku sipas tij Kosova ka shkuar mbrapa në luftimin e korrupsionit. Ai përmend rastin “Toka” dhe involvimin e dy drejtorëve të krimeve ekonomike në polici.
“Fjalia e dytë thotë se reformat janë ngadalësuar pra kemi hapa mbrapa në kuptimin e korrupsionit sidomos këto dy rastet që ishin ose rasti “Toka” që është një rast duke u shkartuar me qellim. Ose mosveprimi ndaj asaj që i ka ndodhur shefit të agjencisë së Prokurimit vitin e kaluar. Pastaj involvimi i drejtorit të krimeve ekonomike të policisë të dyve edhe të atij të mëparshmit por edhe këtij të dytit që e rrahu drejtorin e postës dhe e dërgon lëndën tek një mik i tij në Gjilan, të gjitha këto tregojnë që sistemi ynë i drejtësisë fatkeqësisht është i kontrolluar drejtpërdrejt nga pushteti”, u shpreh ai.
Kreu i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, thotë se Raporti i BE-se për Kosovën, përshkruan saktësisht gjendjen në të cilën është Kosova.
“Vlerësoj se duhet urgjent te arrihet konsensus nacional për reformat qe duhet te ndërmerren. Këto vërejtje të BE-se duhet te përbejnë platformën nacionale te veprimit te te gjitha forcave politike në vend, duke lënë anash rivalitetin politik ditor. Ndryshe, qytetarët nuk do të na falin”, shkruan Avdullah Hoti.
Analisti politik Blerim Burjani mendon se raporti nuk ka shumë optimizëm e as propozim konkret se çka po ndodh me Kosovën drejt integrimit evropian.
“Raporti i progresit nuk është pozitiv në shumicën e përshkrimit narrative nuk jep shpresë për liberalizim të vizave por edhe për ndonjë hap tjetër drejt BE-së në këtë raport mbizotëron fjalor politik dhe diplomatik jo i qartë dhe shumë gjera përsëriten në këtë raport nga vitet e kaluara, politikisht kuvendin dhe qeveria e quan jo efektive kjo lë të kuptohet se mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme. Kosova s’ka progres në luftën kundër korrupsionit raporti është i qartë, që nuk ka aktgjykime të formës së prerë si dëshmi për luftimin e korrupsionit”, thotë Burjani për arbresh.info.
Burjani thotë se nga ajo çfarë shkruan në raport nuk do të ketë liberalizim të vizave këtë vit.
Ndërsa nga ana tjetër Qeveria e Kosovës në reagimin e saj duket pak më e përmbajtur, duke thënë se ky raport është raporti më pozitiv që ka pasur Kosova vitet e fundit./Arbresh.info/Mira Avdimetaj/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...