Google ADS

PE i ka kërkuar Turqisë lirimin e ushtarëve grekë

23:53 | 18 Prill 2018
Trina Galanxhi

Parlamenti Europian i ka kërkuar Ankarasë lirimin e menjëhershëm të dy ushtarakëve grekë që mbahen në burgun e Adrianupolit, pas arrestimit të tyre në fillim të marsit disa metra brenda kufirit turk.

Të gjithë eurodeputetët kanë mbështetur Greqinë, duke dënuar qëndrimin e Turqisë, që – siç kanë theksuar, – prek shkeljen e të drejtave të njeriut dhe shtetin e së drejtës. “Është qesharak preteksti turk se dy ushtarakët përbëjnë kërcënim për Turqinë”, ka deklaruar presidenti i Komisionit Europian.

“I thashë (Erdoganit) se nuk do ta pranojmë këtë, se përpara Pashkëve ortodokse donim të liroheshin këta persona. Është qesharake të thuhet se dy oficerët grekë që bënë një gabim në kufi kërcënuan Turqinë. Është qesharake”, u shpreh Jean-Claude Juncker, president i KE-së.

Nga ana e saj, Turqia ka kritikuar BE-në për qëndrimin ndaj Ankarasë. Gjithashtu, në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme këmbëngulet se zona ajrore, detare, si dhe shkëmbinjtë e ishujve Imia, për të cilat është futur në konflikt me Greqinë, i përkasin Turqisë duke ngjallur reagime në Athinë. Madje, portale greke thonë se përreth kësaj zone janë grumbulluar prej së martës në mbrëmje forca të mëdha ushtarake turke.

Ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos ka deklaruar në Parlament se Greqia nuk duhet të përkulet ndaj një lufte të pashpallur, hibride dhe psikologjike të Turqisë.

Ndërkohë, mediet greke kanë transmetuar orët e fundit pamjet nga vizita e kryeministrit Tsipras në ishullin Ro, pak para se helikopteri “Chinook” me të cilin është larguar prej aty bashkë me shefin e ushtrisë, Evangelos Apostolakis, drejt Rodosit, është ngacmuar gjatë fluturimit nga dy avionë ushtarakë turq, që i kanë kërkuar pilotit grek të jepte detaje të fluturimit.

Menjëherë janë ngritur dy avionë të flotës greke dhe kanë interceptuar ato turke, ndërsa vet Tsipras ka deklaruar prej aty se, Greqia do të mbrojë çdo centimetër të terriorit të saj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme