Google ADS

Gjykata Kushtetuese ka presion, ende pa vendim për rritjen e pagave nga Haradinaj

07:56 | 18 Prill 2018
Arbresh.info

Janë bërë më shumë se dy muaj qëkur 30 deputetë të Vetëvendosjes së bashku me ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese ankesën për anulim të vendimit të kryeministrit, Ramush Haradinaj, për rritje të pagës së tij dhe të kabinetit qeveritar, shkruan arbresh.info.

Mirëpo edhe pas dy muajve Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë ende ndonjë vendim të prerë sa i përket kësaj çështjeje, ani pse edhe Agjencia Kundër Korrupsion ka konstatuar se në këtë vendim ka pasur shkelje ligjore.

Pikërisht, pas kësaj Qeveria e Kosovës më 20 shkurt ka vendosur që ta pezullojë këtë vendimin për rritjen e pagave deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Në Gjykatën Kushtetuese kanë deklaruar për Arbresh.info se kjo lëndë është në fazën e shqyrtimit dhe ende nuk është marrë ndonjë vendim.

“Kjo lëndë është aktualisht në fazën e shqyrtimit dhe Gjykata nuk ka marrë vendim. Nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje të Gjykatës në këtë rast”, ka thënë Veton Dula nga Zyra për Komunikim dhe Informim.

Por, e zhgënjyer  me këtë vonesë të Gjykatës Kushtetuese është shprehur deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu.

Haxhiu, ka thënë për Arbresh.info se Gjykata Kushtetuese duhet sa më parë të japë një vendim rreth kësaj çështjeje.

“Situata është mjaft e qartë, argumentimet tona janë në përputhje me Kushtetutën dhe nuk e kuptoj vonesën dhe neglizhencën e Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim, pra Gjykata Kushtetuese duhet sa më parë të nxjerr aktgjykimin lidhur me këtë dhe duke pas parasysh argumentet tona janë në përputhje me kushtetutën që duhet ta zhbëj këtë vendim për shkak e është një precedent i mirë dhe një standard i mirë nëse Gjykata Kushtetuese vendos edhe për këtë edhe për hera të tjera që të parandaloj abuzime me paranë publike”, ka thënë ajo.

Sipas saj, kjo vonesë po vjen për shkak që mund të ketë pasur presion nga vendorët.

“Tashmë jemi mësuar shumë shpesh që proceset që trajtohen pranë Gjykatës Kushtetuese shpesh shkojnë edhe presione qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare por në këtë rast mendoj se ka pasur presion nga vendorët dhe kjo për ne është shqetësuese prandaj edhe po them që të shmanget presioni nga Qeveria lidhur me këtë Gjykata duhet sa më parë të nxjerr një vendim për të njëjtën temë”, ka deklaruar Haxhiu.

Nëse Qeveria sipas Haxhiut nuk e shfuqizon këtë vendim atëherë kjo e fundit bën vepër penale.

Arbresh.info ka kërkuar përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës se a kanë marrë ndonjë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese për këtë vendim, por që zyrtarë të qeverisë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje./J.Zhuniqi/Arbresh.info/

 

Të ngjashme