Google ADS

Shtyhet gjykimi i të akuzuarit për vënie në qarkullim të produkteve ushqimore me afat të skaduar

22:14 | 17 Prill 2018
Arbresh.info

Tre të akuzuar po përballen me akuzat e Prokurorisë për falsifikimin e parave në total prej 3.120 eurove, si dhe njëri nga ta edhe me akuzën se ka ndryshuar datën e skadimit të produkteve ushqimore dhe i ka vënë në qarkullim.
Faton Hoti, Gyrbet Haliti dhe Lulzim Haliti po akuzohen për veprën penale falsifikim i parasë, derisa ky i fundit ngarkohet edhe me veprën penale e vënies në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimorë.

Në seancën e cila ishte paraparë të mbahej sot mungoi i akuzuari Gyrbet Haliti, i cili sipas gjykatëses Naime Krasniqi- Jashanica nuk e ka arsyetuar mungesën, ndonëse ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.

Meqenëse nuk pati kushte për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, seanca është shtyrë për datën 15 maj.

Sipas aktakuzës, pas marrëveshjes paraprake në mes të Lulzim Halimit dhe Faton Hotit, duke e ditur se janë në pyetje të hollat e falsifikuara, e me qëllim që të njëjtat t’i vënë në qarkullim si të vërteta, më 11 prill 2017, Fatoni ka marrë nga Lulzimi shumën prej 2.100 euro të falsifikuara dhe të nesërmen së bashku me të akuzuarin Gyrbet Haliti dhe Hizri Ahmeti kanë shkuar në fshatin Rogoçicë të Kamenicës, ku në tregun e bagëtisë kanë tentuar t’i vënë në qarkullim të hollat e falsifikuara.

Sipas aktakuzës, ata nuk kanë arritur ta realizojnë këtë synim dhe gjatë kthimit për në Podujevë, Faton Hoti dhe Gyrbet Haliti, janë ndaluar në Graçanicë nga Policia dhe gjatë kontrollimit të automjetit në çantën e krahut të të pandehurit të tretë Gyrbet Haliti janë gjetur dhe konfiskuar 2.000 euro, për të cilat në bazë të raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë është vërtetuar se janë tërësisht të falsifikuara.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas një muaji, gjatë bastisjes së shtëpisë të Lulzimit janë gjetur dhe konfiskuar 1.120 euro, për të cilat po ashtu është vërtetuar se janë të falsifikuara.

Dispozitivi i dytë i aktakuzës ngarkon vetëm të akuzuarin Lulzim për veprën penale të vënies në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimorë.

Kjo pasi që Prokuroria pretendon se nga data e pavërtetuar deri më 12 maj 2017, i ka lëshuar në qarkullim artikujt ushqimorë me afat të skaduar për të cilat e ka ditur se janë të rrezikshëm për shëndetin e njerëzve.

Sipas Prokurorisë, këta artikuj, nëpërmjet ndërmarrjes së tij “N.T.P. Junior” ia ka ndryshuar afatin e përdorimit dhe një pjesë të tyre i ka lëshuar në qarkullim me afat të falsifikuar të përdorimit në marketin e tij “Luli” në një fshat të Kosovës, kurse një pjesë të artikujve i ka dërguar në depon “N.T.P. Armeka”, i cili gjendet në një fshat të Fushë-Kosovës, e pastaj nga aty me punëtorët e tij të njëjtat i ka shpërndarë në markete të tjera në territorin e Prishtinës dhe Mitrovicës.

Aktakuza sqaron se gjatë bastisjes së depos në fshatin Dumnicë janë gjetur dhe konfiskuar nga i akuzuari dy makina për paketim të llojeve të ndryshme të mallrave dhe një vulë për ndryshimin- falsifikimin e afatit të përdorimit të mallit, aceton dhe pajisjet e tjera që kanë shërbyer për fshirjen e datës së përdorimit të mallit, kurse, në depon në fshatin e komunës së Fushë-Kosovës është gjetur dhe konfiskuar një sasi e madhe e mallit me datën e ndryshuar të afatit të përdorimit me prejardhje të dyshimtë. /kallxo.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme