Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, sot, në 19 vjetorin e eksodit kosovar në Kukës, i janë dorëzuar nga Qarku i Kukësit titujt “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Qarkut Kukës”.
Me këtë rast, Pacolli në fjalën e tij ka falënderuar për këta tituj kryetarin e Bashkisë së Kukësit, kryetarin e Qarkut, dhe qytetarët e Kukësit duke thënë se Kukësi është Kryeqyteti i Mikpritjes Botërore.
Fjalimi i plotë:
I dashur Prefekt, Kryetar i Qarkut, Kryetar i Bashkisë dhe bashkëqytetarë të mi
kuksianë, kosovarë dhe nga gjithë viset ku flitet shqip, të dashur të zgjedhur vendorë dhe parlamentarë të Kosovës dhe të të Shqipërisë,
Ju falënderoj që më dhatë mundësinë të gjendem sërish këtu në Kukës.
Ardhja ime në Kukës, është një dalje nga rutina e takimeve diplomatike,
Ardhja ime këtu mes jush, kuksianëve të mirë, është një mbushje e thellë e mushkërive me ajrin e pastër të Gjallicës, me ajrin e fisnikërisë, të mikpritjes së zonës së Lumës, zonë trimash të urtë.
Kukësi është Kryeqyteti i Mikpritjes Botërore,
Kukësi është Nobeli i humanizmit global;
Kukësi e shpëtoi Kosovën në 1999. Nëse kosovarët nuk do kishin qendruar këtu, do ishin shpërndarë nëpër botë. Dhe jo të gjithë, do ktheheshin nga larg për t’i shërbyer Kosovës së Re.
Ndaj për mua është krenari që prej sot jam një Kukësian, që prej sot jam njeri si ju.
Nëse do ta mendoja mirë,unë jam kukësian që më herët. PSE? pse jam rritur në një familje ku Mikpritja është vlera më e shenjtë.
Nëse kam zmadhuar ndonjëherë shtëpitë ku jetoj, kam zmadhuar hapësirën e miqve:
Kam disa oda miqsh: odë e vogël, odë e mesme, odë e madhe miqsh.
Mos na lëntë zoti pa miq.
Ju Falënderoj kryetari i Kukësit Bashkim Shehu që më propozuat që të jem njeri nga ju.
Jam i impresionuar nga punët tuaja të mira në krye të Kukësit: më kanë thënë se keni ulur taksat në Kukës dhe keni rritur të ardhurat, se po sillni një ndërmarrje fason për vajzat dhe gratë e zonës.
Ju falënderoj juve zotërinj të Këshillit bashkiak dhe të Këshillit të Qarkut, që unanimisht keni votuar për mua.
Emri im ju ka bashkuar, pavarësisht ndarjeve. Si një kuksian që jam prej sot, do ju lutesha: kapërceni ndarjet partiake, apo çdo lloj ndarjeje që keni, për t’i shërbyer më mirë këtij populli të mrekullueshëm.
Falemnderit kryetar që i përmende disa fakte nga historia ime familjare që unë kurrë nuk i kam përmendur për të stolisur biografinë time si bëjnë rëndom në politikën e viseve tona.
Herën tjetër thjesht dua të më përmendni se jam Punëtor i Madh dhe Mikpritës i Madh, si Lumianët,
Ju keni të drejtë që përmendni Vizionin si cilësi e domosdoshme për të shikuar lart dhe larg.
Edhe kur kufijtë mes nesh ishin të pakapërcyeshëm, unë gjithmonë e kam parë këtë zonë si pjesë e pandarë e Gjakovës, Prizrenit, e Kosovës.
Aq më shumë në kohën e lirisë që u parapri nga sakrifica, gjaku, vepra e madhe e humanizmit tuaj që e pa bota mbarë, unë sot e shoh si pol kombëtar zhvillimi qarkun e Kukësit, Hasin, Tropojën, të lidhur me komunat në anën tjetër,.
Unë sot, më shumë se më parë do të angazhohem për qytetin tim, për krahinën time që më adoptoi si bir të vetin, për Kukësin!
· Këtu ka miniera të rralla;
· këtu ka liqene,
· hidrocentrale,
· bukuri natyrore,
· këtu ka hapësirë për turizëm malor,
· për blegtori cilësore,
· për shkolla arësimi profesional.
· Aeroporti i Kukësit që do të hapet së shpejti ka gjithë mundësitë që jo vetëm të jetë alternativë e Prishtinës dhe Gjakovës, por dhe të jetë një destinacion ndërkombëtar në transportin e distancave të mëdha. Unë me kolegët e mi në Qeverinë e Shqipërisë do punojmë në këtë drejtim.
· Në shumë takime ndërkombëtare, në takime rajonale, të Bashkimit Europian, në Japoninë e Largët, por dhe me miqtë e mi këtu në Shqipëri, me Sali Berishën, Edi Ramën, Ilir Metën e Lulzim Bashën, unë po angazhohem që Lugina e Drinit të shndërrohet në një vektor komunikacioni nga më të rëndësishmit në Europë.
· Nuk mund të ketë zhvillim kombëtar të plotë, madje nuk mund të ketë zhvillim rajonal pa hekurudhë mes nesh,
· Lugina e Drinit, Kukësi, Tropoja, Gjakova, janë stacione të pashmangshme të kësaj rruge të re hekurudhore. Po i ndjek me vëmendje studimet, dhe projektet në këtë kahje.
Për gjithë potencialin e vet, të pashfrytëzuar, ose të shfrytëzuar keq, Kukësi me varfërinë e vet dinjitoze është një krahinë ku ne politikanëve tashmë duhet të na vijë turp që është në këtë gjendje.
Ju premtoj se derisa të kem mundësi do punoj që të jetësoj këto projekte, që ta meritoj këtë cilësor që tash e tutje do ta mbaj me krenari: jam kuksian, jam shqiptar, jam njeri nga ju!
Falemnderit!
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...
Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimor dhe në ceremoninë ...
Nis me tensione protesta e opozitës
Shfaqen forca të shumta të policisë para nisjes së protestës...