Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore të 19 vjetorit të rënies së dëshmorëve Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Luan Nimanaj.
Presidenti Thaçi ka thënë se me nderimet më të larta institucionale po përkujtohen këta katër dëshmorë të rënë heroikisht më 16 prill 1999.
“Liria ka qenë dhe mbetet vlera më e çmuar e njerëzimit”, ka thënë ai, duke shtuar se “rënia për liri është sakrifica më supreme”, u shpreh Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se për dallim nga të gjitha periudhat historike, në vitet 1998-1999 përpjekjet për çlirimin e Kosovës ishin një realitet më i dukshëm se kurrë më parë.
Ai ka thënë se jo vetëm komandantët e shquar ishin sprovuar për dy vjet në beteja e fronte lufte, por edhe të rinjtë 20 vjeçar si Luan Nimanaj ishin të gatshëm për të luftuar deri në pikën e fundit të gjakut.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si organizatë ushtarake dhe politike, kishte bashkuar djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë më të vendosur që ta bëjnë realitet ëndrrën e shumë brezave – çlirimin e Kosovës”, u shpreh Thaçi.
Ai ka thënë se Shkëlzen Haradinaj ishte një ndër pjesëtarët e hershëm të UÇK-së, i cili me energji të pashtershme ndihmonte lëvizjen e pjesëtarëve të UÇK-së që furnizoheshin me armatim, duke shtuar tutje se “Luan Haradinaj kishte rënë dëshmor në luftën pranë kufirit, në përpjekje për të hyrë sa më parë në Kosovë, që në maj 1997”.
I pari i vendit ka thënë se Shkëlzeni, Fatmiri, Hasimi dhe Luani kontributin e tyre e dëshmuan sidomos në periudhën e luftës së hapur të UÇK-së.
“Këta ushtarë, komandantë dhe drejtues të luftës çlirimtare në Zonën Operative të Dukagjinit, që nga beteja e 24 marsit 1998 në Gllogjan e deri tek rezistenca e 16 prillit 1999, e bartën me nder uniformën e UÇK-së”, u shpreh presidenti Thaçi.
Një nga vlerat e shumta të UÇK-së, presidenti Thaçi ka thënë se padyshim ka qenë mbrojtja e popullatës civile, kujdesi ndaj të plagosurve dhe gatishmëria e ushtarëve dhe eprorëve për t’u sakrifikuar për popullatën e paarmatosur.
“Shembulli më tipik është 16 prill 1999, dita kur ranë dëshmorë Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Luan Nimanaj”, theksoi ai.
Presidenti Thaçi ka shtuar se sot jemi krenarë që i përkasim atij brezi që kurorëzoi përpjekjet shekullore për liri dhe pavarësi.
“Sot Kosova është shtet i lirë dhe sovran. Kjo Kosovë ka qenë ëndërr e shumë brezave që nga kryengritjet e Haxhi Zekës deri tek aktiviteti patriotik dhe intelektual i Jusuf Gërvallës, emrin e të cilit e mbajti me nder brigada 131 e Zonës Operative të Dukagjinit”, pohoi presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka theksuar se përkundër sfidave, Kosova brenda një periudhe 19 vjeçare ka dëshmuar të arritura të mëdha dhe çdo ditë e më shumë po e forcon identitetin shtetëror, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Ai ka thënë se Kosova për të cilën u sakrifikuan Shkëlzeni, Fatmiri, Hasimi, Luani dhe shumë dëshmorë të tjerë është rrëfim i suksesshëm i krijimit të shtetit dhe i ndërtimit të paqes. /Telegrafi/
Uria në mes të natës – arsyet shëndetësore pse ndodh
Pse yjet shkëlqejnë më fort në male?
Frutat e thata ndihmojnë me kancerin e gjirit?
Tifozët mendojnë se kanë gjetur ‘arsyen e vërtetë’ pse Vinic...
Hakerët kinezë vënë në objektiv familjen Trump dhe këshillta...
Protesta e opozitës, Berisha: Shqipëria u paralizua, për tri...