Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, të cilin e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit, duke i dhënë tender vëllait të tij, Gani Rugovës, në vlerë rreth 300 mijë euro.
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se Haki Rugova, duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.
Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.
Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.
Sipas kualifikimit juridik që i ka bërë prokuroria veprimeve të kryetarit Rugova, i njëjti nëse gjendet fajtor, mund të dënohet prej një deri në pesë vjet burgim.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më 22 janar të këtij viti, kishte raportuar se ishin duke u zhvilluar hetime ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, e të cilat tanimë kanë rezultuar me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.
Nisjes së hetimeve, i ka paraprirë ngritja e kallëzimit penal, më 7 dhjetor të vitit të kaluar nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), nën dyshimin se kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, ka kryer veprën penale “konflikt interesi”, me rastin e nënshkrimit të një tenderi ku përfitues ka qenë vëllai i tij, Gani Rugova.
Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.
Por, ky i fundit, më 17 janar 2018, me shkresë i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.
Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, ka fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut.
Vdekja e një punëtori në Prizren, arrestohen tre menaxherët ...
Pacolli uron një javë të mbarë: Qofshi gjithmonë të lumtur d...
Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojm...
Vetplagoset me armë zjarri në person në Gllogoc
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...