Protesta në Berlin kundër çmimeve tejet të larta të pasurive të paluajtshme

11:58 | 15 Prill 2018
Arbresh.info

Ndërsa në mbarë botën vitet e fundit çmimet e banesave kanë rënë, në Berlin ka pasur në vitin 2016 rritje të këtyre çmimeve me mbi 20 për qind.

Berlini po shënon rritjet më të larta të çmimeve të pasurive të paluajtshme në botë, thuhet në një raport të botuar këtë javë. Sipas një studimi të botuar nga firma për pasuritë e paluajtshme Knight Frank vetëm në vitin 2017 çmimet në Berlin u rritën me 20.5 për qind.

Indeksi i qyteteve rezidenciale botërore të kësaj firme tregon se ndërsa vitet e fundit në mbarë botën çmimet e banesave ranë, Berlini është një nga vetëm 12 qytetet që kishin një rritje të çmimeve prej mbi 20 për qind në vitin 2016.

Prandaj, mijëra njerëz protestuan në kryeqytetin gjerman ndaj rritjes së kostove të strehimit dhe gentrifikimit të shfrenuar të lagjeve të qytetit. Gentrifikimi është procesi i modernizimit të lagjeve tradicionale që shoqërohet edhe me ngritjen e çmimeve të qirave, gjë që i bën shumë prej banorëve tradicionalë që të largohen nga këto lagje, sepse nuk janë në gjendje t’i paguajnë ato.

Që nga viti 2004 çmimet në përgjithësi janë rritur me 120 për qind për shkak se papunësia e ulët dhe investimet e huaja i kanë dhënë nxitje qytetit. Megjithatë Banka Federale e Gjermanisë mendon se në Berlin vlerat e pronave janë mbivlerësuar me rreth 35 për qind. Nga 1.9 milionë shtëpive me qira të përballueshme që mungojnë në Gjermani, 310 mijë janë në Berlin. /DW /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme