Qeveria e Kosovës nuk kanë ende një qëndrim zyrtar rreth paralajmërimeve nga Beogradi për kthimin emrave të shumë qytetarëve të Kosovës në listën e personave të kërkuar nga INTERPOL-i (Policia Ndërkombëtare)
Pamundësia e Kosovës që të bëhet anëtare e INTERPOL-it, po shihet si pengesë për spastrimin e listës së personave të kërkuar mbi bazën e urdhër-arresteve të Serbisë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Në mesin e atyre që u janë kthyer emrat në këto lista, janë edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.
Sipas tij, akuzat e organeve të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës janë rikthyer tashmë në sistemin e INTERPOL-it.
Në këto lista, ka nënvizuar Stefanoviq, ndonëse u figurojnë emrat, akuzat ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, nuk do të zbatohen në këtë fazë, për shkak të funksioneve që kanë aktualisht Thaçi e Haradinaj.
Ministri serb ka thënë se kthimi i akuzave në dosjet e INTERPOL-it, pasoi presionin e Serbisë ndaj këtij institucioni, duke kërkuar që të respektohet e Drejta Ndërkombëtare.
Në Qeverinë e Kosovës kanë thënë se janë duke e përcjellë me vëmendje situatën dhe se janë duke mbledhur informacionet e nevojshme, për të dalë pastaj me një qëndrim zyrtar.
Zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rexhep Selimi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky veprim i Serbisë nuk është i papritur.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se këtë e sheh edhe si presion të Serbisë karshi Kosovës për të lëshuar pe në fusha të tjera.
“Edhe rikthimin e emrave në listat e INTERPOL-it të shumë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë e shoh edhe më shumë si një presion që Kosova të lëshojë pe edhe në fushat tjera. Pra, e dimë që Serbia i do ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bankat e të akuzuarve, por më shumë se kaq Serbia do që Kosovën ta mbajë në vazhdimësi nën presion, qoftë edhe me këto lista në këtë rast”, ka thënë Selimi.
Sipas tij, që këto probleme të mos përsëriten në pafundësi, Kosova duhet sa më parë të bëhet anëtare e INTERPOL-it.
“Institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë që Kosovën ta anëtarësojnë në INTERPOL, gjë që është mundësia të ndodhë sivjet. Edhe ne po japim kontributin tonë të jashtëzakonshëm edhe nga pozicioni i opozitës dhe në anën tjetër, do të duhej që me Serbinë ta kishin një qasje tjetër të komunikimit”, ka theksuar deputeti Selimi.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Serbia në vazhdimësi ka keqpërdorur pozitën që ka në INTERPOL për të lëshuar fletarreste ndërkombëtare ndaj shtetasve të Kosovës.
“Sigurisht që rol vendimtar këtu luajnë edhe Bashkimi Evropian, Brukseli, të cilët pothuajse asnjëherë nuk e kanë marrë shumë seriozisht këtë çështje, duke i lënë qytetarët e Kosovës në njëfarë mënyrë në mëshirën e Serbisë, duke i maltretuar në shumë e shumë raste kur të njëjtit janë arrestuar në bazë të këtyre fletarresteve, janë mbajtur në paraburgim në shtetet e Bashkimin Evropian me muaj, e ndonjëherë edhe me vite dhe pastaj të njëjtit më vonë janë liruar”, ka thënë Miftaraj.
Në fillim të vitit të kaluar, kryeministri i tanishëm i Kosovës Ramush Haradinaj, ishte arrestuar nga policia franceze, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia./REL/
Pacolli: Këta lloj ministrash janë një rrezik i madh për sho...
Hamza: Diaspora është forca dhe potenciali, me të Kosova mun...
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...