Kanë mbetur edhe dy ditë deri në publikimin e Raportit të Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian.
E për këtë raport, ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha është shprehur shumë optimiste.
Në një intervistë për portalin “Arbresh.info”, ajo ka thënë se pret një vlerësim real të punës që është bërë nga dikasteri i saj dhe qeverisa e Kosovës këto dy vite.
Mes tjerash zonja Hoxha tregon se është e bindur që janë plotësuar të gjitha 95 kriteret e nevojshme për të hequr regjimin e vizave në zonën Schengen.
Arbresh.info: Më 17 prill pritet që Komisioni Evropian të publikojë Raportin e Progresit, çka prisni ju si ministre nga ky raport?
Pres vlerësim të punës tonë, përkundër vitit të kaluar zgjedhor dhe sfidave tjera duke ndikuar në ecurinë e reformave. Pritjet tona janë që raporti të paraqes një pasqyrë reale të progresit të cilin vendi ynë e ka bërë gjatë dy viteve të fundit, periudhë të cilën ky raport e mbulon. Raporti mbulon aspektet që ndërlidhen me procesin integrues, por edhe të gjitha institucionet qeverisëse, prandaj në raport do të ketë reflektim për secilin institucion.
Gjithsesi, presim vlerësim pozitiv, duke evidentuar sfidat e procesit.
Arbresh.info: A prisni që ky raport të jetë real për Kosovën?
Presim të jetë real, gjithëpërfshirës dhe me detaje të cilat janë udhëzuese për institucionet ekzekutive, nivel se ku gjendemi por edhe rrugën nga duhet të ecim për të qenë pjesë e vlerave dhe familjes së madhe evropiane.
Arbresh.info: Cila pritni të jetë pika negative për vendin e cila do të përmendet në këtë raport, gjatë një viti?
Mbetet të shohim nga raporti se cilat do të jenë fushat ku kërkohet më shumë punë dhe fokus. Institucionet e Kosovës gjithmonë i kanë marrë seriozisht vërejtjet nga Raporti për Vendin dhe e njëjta do të vlejë edhe për këtë raport.
Arbresh.info: A janë raportuar të gjitha arritjet e vendit tonë në Komisionin Evropian?
Po, të gjitha institucionet kanë raportuar dhe ne kemi raportuar për pjesën tonë të punës për të gjitha të arriturat tona institucionale të lidhura me procesin, nëpërmjet raporteve periodike, mbi baza dhe afate të dakorduara.
Arbresh.info: Ndërkombëtarët vazhdimisht e përsërisin që Kosova duhet ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në mënyrë që të ec përpara në proceset integruese. Sa ka arritur progres Kosova në këtë aspekt?
Jemi të bindur se kemi realizuar të gjitha 95 kushtet për liberalizimin e vizave. Angazhimi i përkushtuar i institucioneve për luftimin e krimit dhe korrupsionit do të marrin vlerësim, duke ditur se luftimi i këtyre dukurive tejet negative është proces dhe nuk lidhet me afate.
Konsideroj se të dhënat nga institucionet që merren me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, kanë dëshmuar rezultate inkurajuese dhe kështu presim vlerësim pozitiv sa i takon këtij fenomeni negativ për shtetin dhe qytetarët tanë. Vlerësimi ynë është që për qëllime të liberalizimit të vizave, kriteri i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka shënuar progres, presim vlerësimin pozitiv me Raportin e progresit nga institucionet e BE-së.
Arbresh.info: E dimë që korrupsioni dhe krimi i organizuar është edhe një kusht tjetër që po kërkohet për liberalizim të vizave , sa është përmbushur ky kusht nga institucionet e vendit?
Vlerësimi ynë është që për qëllime të liberalizimit të vizave, kriteri i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka shënuar progres, presim vlerësimin pozitiv me Raportin e progresit nga institucionet e BE-së.
Arbresh.info: Kur qytetarët e Kosovës më nuk do të presin para ambasadave dhe do të lëvizin lirshëm pa viza, kur e dimë që kushti kryesor i kërkuar nga ndërkombëtarët e që ka qenë demarkacioni tashmë është përmbushur?
Procedurat për vendet aspirantë të liberalizimit të vizave, sipas praktikës së deritashme e kanë realizuar lëvizjen e lirë brenda 6 muajve nga marrja e vendimit. Pres më së largu, nga fundi i vitit të kemi liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Po ashtu, kësaj duhet t’i paraprij fushata vetëdijesuese për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve para se të liberalizohen vizat, gjithsesi, duke mos e dëmtuar procesin dhe interesin tonë nacional, integrimin euro-atlantik.
Ndërkohë të martën pritet që të publikohet Raporti i Progresit nga Komisioni Evropian./JZhuniqi/Arbresh.info/
Hasani takon homologun austriak, diskutojnë për lidhjen e fo...
Mustafa kujton babain Xhemailin, 24 vjet pas vrasjes: Ai ënd...
Në 24-vjetorin e vrasjes, Osmani kujton Xhemail Mustafën si ...
Ancelotti për Mbappen: Ai do të tregojë cilësitë e tij nesër
Çfarë është “Oreshnik”, raketa më e fuqishme që Rusia ka për...
Arrestohen 19 persona në Prizren, për bixhoz e skema piramid...