Vendimi drastik për shqiptarin në Vjenë, akuzohej për nxitje në terrorizëm

08:57 | 15 Prill 2018
M. A.

Lorenz K. akuzohej se kishte bërë plane për sulme terroriste në emër të “shtetit Islamik” dhe kishte dashur të nxiste një adoleshent 12 vjeçar për të bërë një sulm terrorist.

Të premten, në orët e mbrëmjes Gjykata e Qarkut në Vjenë i ka shqiptuar dënimin me 9 vite heqje lirie për terrorizëm shqiptarit 19 vjeçar Lorenz K. Ai akuzohej se kishte bërë plane për sulme terroriste në emër të forcave të islamit radikal “shtetit Islamik” ose ISIS-it dhe kishte dashur të nxiste një adoleshent 12 vjeçar për të bërë një sulm terrorist në tregun e Krishtlindjes në Ludwighafen, raportojnë mediet austriake.

Tetë gjyqtarët porotë e kanë mbështetur akuzën për 19 vjeçarin në pikën thelbësore: përpjekje në dy raste për të bindur tjetrin për të kryer vrasje, secilën herë në formë të një akti terrorist. Po ashtu akuza është mbështetur, me modifikime të vogla edhe në pikat tjera si pjesëmrrje në një akt të paramenduar të rrezikimit përmes mjeteve shpërthyese në formë të një akti terroris, anëtarësim në një organizatë terroriste dhe në një organizatë kriminale, miratim të akteve terroriste dhe udhëzim për kryerjen e një akti terrorist.

Vendimi gjyqësor ende nuk është i plotfuqishëm, transmeton albinfo.ch. Avokati i të gjykuarit ka kërkuar kohë për të menduar rreth hapave të ardhshëm ndërsa prokuroria nuk ka dalë me ndonjë qëndrim pas shpalljes së aktgjykimit.

Brenda kornizave të ligjit që lejon një dënim deri në 15 vjet burg, trupi gjykues e masën e dëmnimit me 9 vjet heqje lririe e ka konsideruar si adekuate me aktin e kryer, transmeton albinfo.ch. Ndërsa si masë rënduese me rastin e caktimit të dënimit është vlerësuar veprimi “nga motivi veçanërisht i dënueshëm” i tij, gjegjësisht nga motivi i islamizmit radikal.

Rasti i Lorenz K. ka rreth një vit që është në fokus të publikut dhe ka bërë bujë të madhe në opinionin austriak dhe më gjerë. Ndër faktorët përcaktues për këtë bujë ka qenë edhe fakti se shqiptari 19 vjeçar është rritur në një familje ateiste të ardhur në Austri nga Shqipëria. Ai është indoktrinuar me islamin radikal gjatë qëndrimit të tij në burg si 15 vjeçar./Albinfo/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme