Partitë politike fajtore për zvarritjen e reformave zgjedhore

08:03 | 15 Prill 2018
Arbresh.info

Dy subjektet opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që janë duke kërkuar rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme, shkruan arbresh.info.

Por se a është i gatshëm vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme pa reformë zgjedhore, duke e ditur që në zgjedhjet e fundit kanë ndodhur gabime teknike, analistët në vend thonë se  zgjedhjet asnjëherë nuk kanë prodhuar zgjidhje, shkruan arbresh.info.

Ata vlerësojnë që nëse vendi shkon në zgjedhje pa reformë zgjedhore atëherë do të ketë përsëri bllokada institucionale.

Analisti politik, Bajrush Morina thotë për Arbresh.info se më parë rrëzohet qeveria se sa që bëhet reforma zgjedhore.

“Zgjedhje asnjëherë nuk kanë prodhuar zgjidhje por vetëm kriza të formave të ndryshme. Prandaj pa reformë të thellë zgjedhore përsëri do të kemi bllokada institucionale, kriza qeveritare dhe koalicione të imponueshme. Por më parë rrëzohet qeveria se sa që bëhet reforma zgjedhore. Kjo ndodhë jo pse nuk mund të bëhen reformat zgjedhore por sepse partitë politike nuk janë të interesuara për reforma zgjedhore”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se më parë pret zgjedhje të parakohshme dhe kriza të reja institucionale se sa reformë zgjedhore.

I të njëjtit mendim pothuajse është edhe politologu, Gurakuç Kuçi. Sipas tij do të kalojë edhe një mandat qeverisës dhe vendi nuk do të ketë reformë zgjedhore.

“Një varg temash dhe sfidash që po e ndjekin Kosovën, pastaj dhe mungesa e një konsensusi politik pothuajse për çdo gjë, vazhdimisht e ka prolongu dhe po vazhdon ta zhagis çështjen e reformës zgjedhore, andaj të paktën edhe një mandat qeverisës pas këtij nuk mund të presim reformë zgjedhore”, ka deklaruar  Kuçi.

Kuçi pohon se ligji i tanishëm për zgjedhje më nuk është i nevojshëm, por se si i tillë po i konvenon një pjese të një klase politike.

“Ligji si i tillë u mundëson të bëjnë manipulime të ndryshme dhe përfitime të votave pa ndonjë kriter të duhur, llogaridhënie më të paktë për të mos thënë fare, përshtatshmëri më e mirë ndaj partisë, etj. Reforma duhet të jetë pra në shumë pika duke e shndërruar Kosovën në shumë zona zgjedhore, sistem gjysmë-proporcional dhe ndryshime të tjera”, ka thënë ai.

Sipas tij, reforma zgjedhore duhet të bëhet patjetër sa më shpejtë, dhe të bëhet nga ekspertët dhe jo për qejfe të klasës apo individëve politikë, sepse ligji zgjedhor dhe ndryshimi i saj ka ndikim të madh në rritjen e demokracisë, llogaridhënies, cilësisë së zgjedhjes nga qytetarët, dhe reformimeve kadrovike.

Fajin për reformë zgjedhore ua lë partive politike, politologu Adem Beha.

Ai thotë se për të bërë reformën zgjedhore duhet konsensus i madh politik.

 “Mbetja pezull e reformës zgjedhore është faj komplet i partive politike sepse asnjëherë nuk e kanë pasur synim realisht reformën zgjedhore. Ka pasur disa takime prej vitit 2011 edhe asnjëherë nuk është konkretizu realisht reforma zgjedhore. Nuk e dimë ende se sa zona zgjedhore duhet t’i ketë Kosova, nuk e dimë se sa duhet me qenë pragu i kalimit, nuk e dimë nëse presidenti duhet me u zgjedh në mënyrë direkte apo inderekte dhe krejt kjo kërkon një konsensus të madh politik”, ka theksuar Beha.

Mirëpo, thotë se nëse vendi do të ketë zgjedhje të shpejta atëherë reforma zgjedhore nuk e pengon domosdo organizimin e tyre.

“Nëse ideja është për organizim të zgjedhjeve të shpejta atëherë kjo nuk e pengon domosdo organizimin e zgjedhjeve  për shkak se partitë politike janë agjens kryesorë që e mirëmbajnë integritetin e procesit zgjedhor. Nëse partitë janë të interesuara me manipulu edhe sistemi më i mirë zgjedhor nuk kish mujt me i parandalu deformimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Reforma zgjedhore ka mbetur pezull me vite të tëra, ani pse një iniciativë të tillë e kemi parë edhe nga presidenti i vendit  Hashim Thaçi gjatë vitit 2016./J.Zhuniqi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme