Google ADS

Një jetë në det, historia e peshkatarit nga Vlora

21:03 | 14 Prill 2018
Trina Galanxhi

Nustret Haxhiu është 81 vjeç dhe peshkimi mbetet pasioni i tij. Prej gati 70 vitesh ai del çdo ditë në det me anijen e tij dhe ndihmës sot ka të birin, Ilirin.

Edhe pse në moshë të thyer, Nustreti ende është në formë, aq sa për të mbledhur rrjetat e peshkimit apo edhe të kujdeset për mirëmbajtjen e motorrit të anijes.

“Kam që në vitin 1953 që punoj në peshkim, kohë kur kam qenë 13 vjeç dhe vijoj akoma të punoj. Puna më ndihmon edhe për shëndetin. -Jeni lodhur ndonjëherë? –Jo asnjëherë. As nuk jam sëmurë. As nuk jam lodhur. Jodi më ka mbajtur gjallë”, tregon Nustreti.

Por si çdo punë, edhe ajo e peshkatarit ka vështirësitë e veta. Madje ai kujton se para shumë vitesh, edhe punonjësit e sektorit të peshkimit, njësoj si minatorët apo aviatorët, dilnin në pension në moshën 55-vjeçare, pikërisht për shkak të vështirësive në punë.

“Kemi vështirësi, sidomos në kohë të keqe. –Rrini dot në shtëpi, pa punë? – Jo jo. Nuk e imagjinoj dot vehten pa punë. -Dilni përditë? – Kur është kohë e mirë, dal përditë. Peshkun duhet ta kërkosh. Ciften e kemi ne, ne jemi gjahtarët. Pjesën më të madhe të kohës vimë me rezultate, nuk vijmë pa bukë”, shprehet 81-vjeçari .

Edhe pse peshkimin do ta vazhdojë deri në fund të jetës, 81-vjeçari kërkon edhe ndihmën e shtetit për këtë sektor.

“Shteti duhet ta na ndihmojë pak më tepër. Vërtetë na e ndërtoi këtë portin, por na e la pa përfunduar. Ne s’kemi as ndriçim këtu. Bazën materiale e marrim në Itali, kur këtu mund të ndërtohen edhe magazina…”, shprehet peshkatari.

Për Nustretin, jo çdo ditë në det është e mbarë. Sot në rrjetën e tij kanë rënë shumë pak peshq, megjithatë ai kthehet çdo ditë pas ishullit të Sazanit, me shpresën se do sigurojë më shumë të ardhura se dje./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme