Google ADS

Vështirë të verifikohen viktimat e dhunës seksuale të luftës

17:27 | 14 Prill 2018
V. S.

 

Mbi 300 të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës kanë dorëzuar deri më tani aplikacionet në Komisionin për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës. Kryetarja e këtij Komisioni, Minire Begaj ka thënë se deri më tani 29 personave u janë aprovuar aplikacionet dhe ata do t’i marrin pensionet në mënyrë retroaktive që nga muaji mars i këtij viti.

Procesi i aplikimit për statusin e viktimave seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, në Komisionin për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës është duke shkuar mirë, thonë përfaqësues të këtij Komisioni.

Sipas tyre interesimi i viktimave që aplikojnë për këtë status vazhdon të rritet.

Megjithatë stigma për atë se çfarë kanë përjetuar këto të viktima të dhunës seksuale mbetet ende një sfidë si për gratë  ashtu edhe për burrat, thotë për Radio Kosovën, drejtoresha e Qendrës së Rehabilitimit të Torturës së Viktimave Seksuale në Kosovë, Feride Rushiti.

Sipas Rushitit, qendra e secilës trajton viktimat e dhunimit në luftë, burrat e kanë shumë më të vështirë të thyejnë heshtjen për të rrëfyer dhe marrë trajtimet e nevojshme.

”Pa e pasur edhe njëfarë ndihme apo përkrahje psikologjike nga psikologu apo fusha të tjera se çfarë i duhet atij i duhet është pak e vështirë për të thyer heshtjen pas një periudhe të gjatë kohore, me e nda rrëfimin qoftë me profesionistë të organizatës apo dikë tjetër. Prandaj është  e nevojshme t’ju jepet ngrohtësia që këta perona të ndajnë përvojën e tyre traumatike e cila më pastaj dokumentohet përmes formularit dhe dorëzohet tek komisioni qeveritar”, ka thënë Rushtiti.

Se është e vështirë  për të rrëfyer tmerrin e dhunës seksuale tregon  njëri nga viktimat e gjinisë mashkullore, në atë kohë 26 vjeçar. Ai rrëfen për Radio Kosovën, se përveç bashkëshortes së tij ende askush tjetër nuk di për dhunimin e tij në luftë. Ai tregon se në vitin 1999 në afërsi të ”Fushës së Pajtimit” në Prishtinë u mor nga njësitet paramilitare serbe  dhe  u dhunua në bodrumet e Stacionit Policor në “Lagjen e Muhaxherëve”.

Kjo viktimë e dhunës seksuale tregon se para familjarëve e pati mjaft të vështirë ta fshihte të vërtetën. Madje vështirësitë më të mëdha ai rrëfen t’i ketë pasur para tre fëmijëve të tij.  Vetëm pas 16 vitesh ai mundi t’i tregojë gruas së tij pasi thotë se “ më nuk mund ta fshihte të vërtetën”.

”Gruaja më ka hetuar që unë kam pasur atë ndarjen apo si ta quaj në heshtje, disponim jo të mirë. Askush edhe nuk e di, edhe nuk do ta dijë kurrë. Unë me çdo forcë jam munduar t’i ikë të vërtetës të mos e dijë askush”, tregon ai.

Megjithatë  ai inkurajon burrat e tjerë, viktima të dhunës seksuale, që të lajmërohen pranë Komisionit dhe të përfitojnë nga statusi që u mundësohet me ligj edhe pse thotë se ky pension “nuk mjafton as për shërbimet shëndetësore”.

”I kisha lutur të gjithë ata që nuk kanë aplikuar dhe që hezitojnë, të vijnë të aplikojnë. Sepse sado që është i vogël ky pension shërben për barëra e për shëndet”,tregon ai.

Ndërkohë Komisioni për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës në Kosovë tanimë ka njohur 29 rastet e para.

Të gjithë këta persona , sipas kryetares së këtij Komisioni, Minire Begaj pensionet do t’i marrin në mënyrë retroaktive që nga muaji mars i këtij viti.

“Faktikisht 29 rastet e para që i kemi miratuar apo që ua kemi njohur statusin e dhunimit të luftës i kemi proceduar në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës,  që është në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe po konsiderojmë se ato janë në proces. Rastet që kanë aplikuar në shkurt, i kemi miratuar në mars. Tash jemi në muajin e katërt kurse ata do të marrin pagesën edhe për muajin mars”, ka thënë Begaj.

Megjithatë, procesi i verifikimit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale është mjaft i vështirë, thotë Begaj. Afati ligjor për shqyrtimin e një aplikacioni është 30 ditë, por në rast të refuzimit, sipas  saj të  gjithë kanë të drejtën ankesës dhe rastet do të rishqyrtohen.

“Shumica e rasteve që janë refuzuar, përkundër faktit se kemi kërkuar dokumente shtesë  janë për shkak se vetë pala p.sh në aplikacion e ka specifiku një fakt ose një provë. Ne atë e kemi kërkuar,  e jo diçka që nuk është në rregull, por kemi kërkuar atë dokument për të cilin vetë pala ka thënë se ka kryer një shërbim, apo një ndihmë diku, por që pala nuk e ka dorëzuar. Ne e kemi thirrur edhe palën në intervistë, në mënyrë që të paktën të mos i mohohet e drejta. Kur provat kanë qenë jo bindëse, Komisioni nuk ka pasur ndonjë bindje të thellë që pala ka qenë e dhunuar dhe e kemi refuzuar. Por të gjithë ata të cilët i kemi refuzuar, kanë të drejtën e ri shqyrtimit të kërkesës, ata mund të sjellin  nëse kanë prova të reja, dokumente shtesë ose thjeshtë nëse mendojnë se i është bërë e padrejtë” , ka thënë Begaj.

Nga  shkurti i këtij viti kur ka  filluar  procesi i aplikimit për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale në luftë, 367 persona kanë aplikuar për të iu njohur ky status. Prej tyre 55 janë aprovuar dhe 40  të tjera janë refuzuar. Ky proces do të jetë i hapur deri në  shkurt të vitit 2023./radio kosova/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme