Google ADS

Parisi publikon videon ku shihen aeroplanët ushtarakë duke u nisur për të bombarduar Sirinë

09:31 | 14 Prill 2018
V. S.

 

Presidenca franceze ka publikuar pamje të avionëve ushtarakë që nisen për në Siri. Videoja vjen disa orë pasi Emmanuel Macron njoftoi sulmin mbi Damaskun, së bashku me SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Siç raportojnë mediat, përcjell Telegrafi, nuk është e qartë nëse avionët po ngriheshin nga një bazë ushtarake apo nga një bartëse avionësh.

Në deklaratën e saj, Pallati Elysee thekson se forcat e armatosura franceze po nisen kundër “arsenalit të paligjshëm kimik të regjimit sirian”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ka miratuar sulme ushtarake kundër Sirisë, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

Sulmet janë në përgjigje të incidentit të dyshuar kimik, që ka ndodhur javën e kaluar në qytetin sirian, Duma.

Agjencitë e lajmeve Reuters dhe AFP njoftojnë se disa shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në kryeqytetin e Sirisë, Damask, në kohën që presidenti Trump njoftoi fillimin e goditjes ushtarake.

Presidenti Trump veçoi mbështetësit kryesorë të Sirisë, Rusinë dhe Iranin, që nuk e ndaluan regjimin sirian të përdorte armë kimike. /Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme