Google ADS

Në fazën finale të dialogut Kosova të ketë ekip gjithëpërfshirës

08:48 | 14 Prill 2018
Arbresh.info

Ish-kryenegociatorja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se Kosova duhet të ketë një delegacion gjithëpërfshirës në fazën finale të këtij procesi.

Ajo ka bërë me dije se pjesë e këtij delegacioni duhet të jenë Presidenca, Kuvendi, Qeveria dhe i gjithë spektri relevant.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka thënë se finalja e këtij dialogu duhet të bazohet në platformën që i është dorëzuar Bashkimit Evropian, pjesë e së cilës është njohja reciproke midis dy shteteve, demarkacioni i kufirit, dëmshpërblimet, si dhe pasuria që duhet ta trashëgojë Kosova nga ish-Jugosllavia.

Ajo ka theksuar se në fazën finale të këtij procesi është shumë me rëndësi që ShBA-ja të jetë pjesë e bisedimeve.

“Dialogu po zhvillohet në dy nivele. Në nivelin e parë është zbatimi i marrëveshjeve të pazbatuara, ku Kosova veçse ka filluar ta përmbushë obligimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ndërsa Serbia duhet ta zbatojë marrëveshjen për energjinë, për diplomat, për kadastrën, për hapjen e urës së Ibrit dhe për zhbërjen e strukturave të mbetura paralele. Këto dy zhvillime duhet të shkojnë në një pako”, ka theksuar Tahiri.

Ajo ka shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet që të arrihet një pako e marrëveshjes, në të cilën me data do të përcaktohet se kur Serbia do t’i zbatojë marrëveshjet e pazbatuar.

“Pra, në mënyrë që Kosova kur ta themelojë Asociacionin, edhe Serbia t’i zbatojë marrëveshjet. Unë një zhvillim të tillë nuk po e shoh, edhe pse delegacionet tona kanë marrë pjesë në Bruksel dy herë. Nuk kam dëgjuar se është arritur një pako strategjike që të mos ndodhë që Kosova ta themelojë Asociacionin, ndërsa Serbia ta vazhdojë sabotimin e zbatimit të marrëveshjeve. Në nivelin e dytë, në fazën përfundimtare të dialogut, duhet të shkohet me një delegacion që ka karakter përfaqësues nga të gjitha institucionet: Presidenca, Qeveria, Kuvendi dhe i gjithë spektri relevant politik. Gjithashtu, të hartohet edhe një platformë për fazën finale të dialogut. Bazën e kësaj platforme ia kam dorëzuar Bashkimit Evropian që njihet si dokumenti i temave për fazën përfundimtare të dialogut. Çështja e parë dhe kryesore është njohja reciproke midis dy shteteve si zgjidhje e vetme e cila sjellë fqinjësi të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është çelësi për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë Tahiri./Epoka e Re/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme