Qeveria e Kosovës miratoi të premten plotësimet dhe ndryshimet e Kodit Penal në përpjekje për siç u tha forcimin e institucioneve në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Autoritetet thanë se me kodin e ri janë ashpërsuar masat për veprat penale dhe ndalimin e ushtrimit të funksionit të zyrtarëve që dënohen për korrupsion.
Por, sa janë të mjaftueshme masat e reja në luftën kundër korrupsionit, një dukuri kjo për të cilën Kosova vazhdon të përballet me kritika posaçërisht kur bëhet fjalë për rastet e nivelit të lartë?
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se Kosova ka pasur legjislacion të mirë për ta ndjekur rastet e korrupsionit por ka munguar zbatimi në praktikë. Ai thotë se nisma e fundit e qeverisë nuk do të ndryshojë realitetin pa një vullnet politik për të luftuar këtë dukuri.
“Ashpërsimi i masave ose i dënimeve në rastet e korrupsionit nga pesë vite në shtatë vite nuk do të bëjë dallimin e madh në praktikë. Ajo me të cilën Kosova vuan vazhdimisht është mungesa e rezultateve dhe aktgjykimeve dënuese në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Në këtë drejtim nëse nuk do të ketë një ndryshim të mentalitetit, do të ketë ndryshim të logjikës të institucioneve të drejtësisë për të zbatuar në përpikëri Kodin Penal edhe këto plotësim ndryshime do të jenë në një farë mënyrë vazhdimësi e asaj që e bënë kjo qeveri që nga shpallja e pavarësisë e më tutje”, tha Miftaraj për Zërin e Amerikës.
Hulumtimet e ndryshme vazhdojnë të nxjerrin Kosovën si një nga vendet më të prekura nga shkalla e korrupsionit, ndërsa lufta kundër tij është kusht për përparimin drejt integrimeve evropiane dhe heqjen e vizave për qytetarët e saj.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ndërkaq brenda një jave ngriti dy aktakuza ndaj dy ministrave të qeverisë së Kosovës. Javën e kaluar, u ngrit aktakuzë ndaj ministrit të Inovacionit, Besim Beqaj, i përfshirë në skandalin e përgjimeve telefonike, që u bë i njohur si rasti “pronto”, për shkak të përdorimit të kësaj fjale gjatë komunikimeve. Ndërsa një ditë më parë është ngritur aktakuza ndaj ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, për shpërdorim të pozitës zyrtare në kohën sa ishte kryetar i komunës së Gjakovës.
Vëzhguesit e sistemit të drejtësisë thonë se këto aktakuza nuk flasin për vullnet për të gjykuar rastet e korrupsionit që lidhen me zyrtarë të lartë, pasi që sipas tyre këto lëndë janë në pritje për gati tetë vite.
Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se shqetësim mbetet ngritja e aktakuzave nga ana e prokurorisë pa prova të mjaftueshme, të cilat pastaj po hidhen poshtë nga gjykatat.
“Sa herë që ka prova, prokuroria duhet të veprojë. Ne e kemi parë që në publik dalin shumë afera, prokuroria jo çdoherë ngritë aktakuza për këto raste, do të thotë është hallka politike dhe mungon vullneti politik për shumë raste por mungon edhe vullneti i këtyre organeve që është Prokuroria e Shtetit por edhe të gjykatave”, tha Spahija.
Ndërsa, Ehat Miftaraj thotë se rastet e fundit dëshmojnë që ose prokuroria ose sistemi i drejtësisë kanë për qëllim për të ngritur aktakuza për të pastruar figurat politike nga korrupsioni.
“Pasi që një aktakuzë e ngritur tetë vite pas, një aktakuzë e cila është jo profesionale dhe nuk mund të provohet në gjykatë është mundësia më e mirë që personat të cilët kanë kryer vepra penale korruptive emri i tyre ta pastrohet dhe në aktgjykim të gjykatës të shpallen të pafajshëm dhe me këtë t’i pamundësohet shtetit që t’i dënoj personat që kanë kryer vepra penale, t’i pamundësohet shtetit të bëjë konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme dhe çka është edhe më e keqja të pamundësojë që drejtësia të vihet në vend”, tha Miftaraj.
Një raport i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi nxjerr në pah se shumica e aktakuzave të ngritura për korrupsion në nivelin e lartë, kanë dështuar.
Shqetësime për këtë dukuri kanë ngritur edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë të cilët kanë paralajmëruar se gjatë këtij viti do të shtyjnë përpara reformat në drejtësi si një mundësi për ta larguar Kosovën nga radha vendeve më të prekura nga shkalla e korrupsionit./VOA
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...