Muajin e kaluar saktësisht më 21 mars Kuvendi i Kosovës me 80 vota pro ka miratuar marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Kësaj marrëveshjeje i është bashkangjitur edhe raporti i kryetarit të Komisionit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi, raport ky që pohonte se Kosova humb territor me këtë marrëveshje, shkruan arbresh.info.
Marrëveshja e arritur mes dy Presidentëve atij të Kosovës dhe Malit të Zi përmbante disa pika ku njëra ndër to ishte edhe themelimi i një komisioni të përbashkët mes dy vendeve i cili do ta rishikonte kufirin dhe nëse ka humbje siç pretendohet, atëherë të bëhen korrigjimet.
Mirëpo kanë kaluar pothuajse një muaj që nga miratimi i marrëveshjes dhe ende nuk është dhënë ndonjë rezultat lidhur me këtë.
Arbresh.info ka kontaktuar me zyrën e kryeministrit për të marrë një përgjigje se deri ku ka arritur formimi i këtij komisioni.
Zyrtarë për komunikim me media kanë thënë se është vendosur të krijohet një komision politiko-teknik.
“Është vendosur të përpilohet një strategji dhe të krijohet një komision politiko-teknik. Në bazë të agjendës së kryeministrit do të ketë takime të herë pas hershme me këtë komision. Kryeministri është i interesuar ta përcjell punën e këtij komisioni. Ata janë duke u marr me këtë çështje dhe pasi të ketë të reja kryeministri do të takohet me ta”, ka thënë në përgjigjen për Arbresh.info.
Sipas analistit politik, Ramush Tahiri vendi ka afat kohor dy vjet që ta përfundojë çështjen e kufirit.
“Që nga momenti që ka kaluar demarkacioni tek ne sepse tek Mali i Zi është ratifikuar më herët, në afat prej dy vjetësh duhet të vendoset kufiri fizik dhe të vendosen gurët e kufirit. Krijohet komisioni i përbashkët ndërmjet dy shteteve, ku pastaj me harta e dokumente anëtarët e komisionit shkojnë dhe i vendosin gurët e kufirit. Nisin nga aty ku nuk është kontestuese do të thotë prej tre kufirit Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi deri tek Deçani dhe e vazhdojnë në pjesën tjetër”, ka thënë ai për portalin Arbresh.info.
Tahiri theksoi se çështja e formimit të këtij komisioni është duke u zvarritur.
“Krijimi i komisionit po zvarritet dhe afati po ecë. Kjo tregon mosseriozitet të Kosovës sepse t’i duhesh ta kryesh atë punë. Kosova forcohet me caktimin e vijës së kufirit, me caktimin e pikave kufitare sepse këto janë menaxhim i integruar i kufirit. Bëhet pika e përbashkët, zgjedhet një pikë në territor të Kosovës dhe, nëse ne i kemi dy vendkalime kufitare me Malin e Zi, zgjidhet me marrëveshje njëra. Nëse është më i përshtatshëm terreni bëhet gjysmë kilometri në territor të Kosovës ndërsa tjetra gjysmë kilometri në territor të Malit të Zi dhe caktohet se cilën pikë e dëshirojnë, atë në Kullë apo në Çakorr”, ka thënë ai duke shtuar se me dekret duhet të përcaktohen anëtarët e komisionit.
“Është anë teknike do të thotë, ekipi është i përbashkët, duhet të mblidhen komisionet shtetërore dhe me dekret të përcaktohen sa anëtar i kanë. Shembull caktohet një gjeograf një kartograf etj, pra përcaktohen si nga Mali i Zi ashtu edhe nga Kosova pasi që duhet të jenë identik dhe të dalin në teren me harta dhe e bëjnë kufirin në bazë të marrëveshjes”, ka thënë ai.
Kurse njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj për portalin Arbresh.info ka thënë se Kosova në vazhdimësi i bënë punët me vonesë.
“Çdo shtet, i cili nuk bën politikë proaktive, në fund detyrohet t’i sanoj dëmet të cilat nuk do duhet të ndodhnin. Aq me shumë Kosova, e cila është e ekspozuar ndaj armiqve të shtetësisë së saj. Ne në vazhdimësi, i bëjmë punët me vonesë, apo edhe me keq. Presim që dikush tjetër të na i bëj dhe, pastaj kur shohim që nuk është mirë, reagojmë por, me rezultate minimale”, ka thënë ai.
Duhanaj ka thënë se komisioni, tani duket si i parëndësishëm, kjo pasi që sipas tij me kalimin e demarkacionit, nuk mund ta shndërrojnë dhe përdorin si kauzë politike.
“Këtu edhe opozita flenë dhe nuk dëgjohet. Shembulli i papërgjegjësisë maksimale institucionale, është edhe themelimi i grupit për hartimin e draft- statutit për asociacionin nga katër qytetarë serb. Askush nga përfaqësuesit politik shqiptarë, nuk bëhet i gjallë. Pastaj kur t’u vije në tavolinë dhe ta shohim që nuk është në përputhje me interesat kombëtare, shpurdhin kinse po dëshirojmë me qenë aktiv në kundërshtime, të cilat pastaj nuk u pinë as uji. Kërkohet politikë proaktive në të gjitha segmentet, sepse kush flenë, paguan me shtrenjtë”, përfundoi ai./V.Berisha/arbresh.info/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...