Rreth 80 mijë kg mish janë asgjësuar gjatë këtij viti

08:19 | 13 Prill 2018
Arbresh.info

Rreth 80 mijë kilogramë produkte me origjinë shtazore (mish dhe produkte mishi) janë konfiskuar dhe asgjësuar prej fillimit të këtij viti nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë se Kosovës (AUV).

Por, kjo shifër llogaritet të jetë shumë më e lartë, pasi që në komunat e Kosovës kompetencën për kontrollin, konfiskimin dhe asgjësimin e produkteve e kanë inspektorët komunalë, të cilët u raportojnë vetëm organeve komunale dhe jo organeve qendrore apo AUV-it.

Në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është autoriteti më i lartë për ushqim dhe veterinari, i cili është edhe përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve, duke siguruar nivel të lartë të sigurisë së ushqimit.

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Lamir Thaçi tha për Radion Evropa e Lirë, se inspektorati veterinar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë nga fillimi i këtij viti deri më tani ka asgjësuar rreth 80 mijë kilogramë mish dhe produkte mishi.

“Kjo sasi përfshin vetëm asgjësimet nga inspektorët e AUV. Sasinë e asgjësuar nga ana e inspektorëve veterinarë, në kuadër të komunave nuk e posedojmë. Ata janë të organizuar në kuadër të pushtetit lokal. Për punën e tyre ata u përgjigjen organeve udhëheqëse lokale dhe veprojmë si dy pushtete të ndara bazuar në Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, tha Thaçi.

Kurse, vetëm në fillim të kësaj jave inspektorët komunalë në Ferizaj, kanë asgjësuar 350 kilogramë produkte të mishit.

Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë se gjendja është shumë shqetësuese kur flitet për mishin dhe produktet e tij, për shkak të dyshimeve të vazhdueshme rreth afatit të skaduar, çka edhe është vërtetuara në shumë raste gjatë kontrolleve të fundit nëpër depot e kompanive të ndryshme në të gjitha komunat e Kosovës.

Sipas tij, që nga konstatimet e fundit se mish i prishur është gjetur nëpër shumë pika të shitjes apo ruajtjes së këtij produkti, ka rënë ndjeshëm edhe interesimi i konsumatorëve për të blerë këtë produkt.

“Kur ne marrim informata se është asgjësuar një sasi ushqimi, automatikisht dyshojmë se edhe sa sasi janë në treg apo janë shitur dhe konsumatori nuk e ka parë dhe nuk e ka zbuluar”, thotë Kaçaniku.

Shtimi i kontrollit në tregun vendor si nga inspektorët e Agjencisë po ashtu edhe ata komunalë, ka pasuar zbulimin e skandalit me mishin e dyshimtë të importuar nga Belgjika nga firma VEVIBA, i cili në vitin 2016 kishte depërtuar në tregun e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, tashmë kanë filluar hetimet kundër personave përgjegjës dhe subjekteve juridike, të cilat kanë importuar nga Belgjika sasi të mishit me cilësi të dyshimtë.

Ndryshe, për të gjitha këto raste inspektorët e AUV-ut, deri më tani kanë iniciuar shtatë lëndë për kundërvajtje në gjykatë, thotë Lamir Thaçi.

“Kemi lëndë të tjera të cilat janë dorëzuar në zyrën ligjore dhe disa të tjera të cilat ende janë në procedurë për inicim. Rastet e ndalimit nuk i ndajmë në raste të lehta apo të rënda”.

“Çdo sasi e mishit e cila konstatohet se nuk i plotëson kushtet për konsum marrim vendim për asgjësim. Ndaj secilit që tenton të tregtojë produkte të pasigurta do të ndërmerren të gjitha masat e parapara me ligjet në fuqi”, thotë ai.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, nga vende të ndryshme të botës për një vit importohen mbi 40 milionë kilogramë mish. Sasia më e madhe e këtij produkti importohet nga SHBA-ja, Brazili, Argjentina dhe Holanda./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme